Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeBorell kërkon zgjidhje afatëgjatë, Kurti kryetarët e rinj në Veri i quan...

Borell kërkon zgjidhje afatëgjatë, Kurti kryetarët e rinj në Veri i quan “Udhëheqës me U- të vogël”

Udhëheqës me “u” të vogël. Kështu i quajti mbrëmë kryeministri Kurti katër kryetarët e rinj të zgjedhur të komunave në Veri. Ai tha se nuk i vjen mirë për daljen e ulët në zgjedhjet e 23 prillit, për çka fajin ia la Listës Serbe që braktisi institucionet dhe bojkotoi procesin zgjedhor. Për këtë foli edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. “Nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë”, tha ai, duke shtuar se kjo mund të shkaktojë përshkallëzim në të ardhmen.

Dje në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, janë takuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ata miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, derisa nuk gjetën pajtim për draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Pas përfundimit të takimit, Kurti para mediave ka folur edhe për zgjedhjet në Veri. Ai tha se nuk i vjen mirë që dalja për të votuar ka qenë e ulët, për çka fajin ia la Listës Serbe për braktisjen e institucioneve dhe bojkotimin e zgjedhjeve.

Sipas Kurtit “gabimin e Listës Serbe nuk duhet ta paguajnë qytetarët e Kosovës” por vetë Lista Serbe.

Shefi i ekzekutivit se tashmë janë zgjedhur kryetarët e katër komunave në veri. Për kryetarët e rinj ai tha se janë udhëheqës komunalë me “u” të vogël dhe jo me “U” të madhe.

Për zgjedhjet e 23 prillit është deklaruar edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Ai tha se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë.

Madje, ai shprehu shqetësimin se këto zgjedhje mund të kenë potencial për të çuar drejt përshkallëzimit dhe minimit të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

“Shpreha edhe një herë brengën tonë të madhe për gjendjen në Veri të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit me një dalje të ulët dhe është e qartë se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate. Përkundrazi, ndoshta kanë potencial për të çuar drejt përshkallëzim dhe për të minuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, dhe kjo nuk është ajo që duam të ndodh. Kam inkurajuar të dy palët që të gjejnë një zgjidhje e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri që i kanë braktisur në nëntorin e kaluar”, tha Borrell.

Deklarata e plotë e Kurtit për zgjedhjet në Veri

“Natyrisht që mua nuk më vjen mirë që dalja në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, në dy prej tyre edhe për kuvende komunale, ishte e ulët. Mirëpo ciklet elektorale nuk janë vetëm të drejta për qytetarët por janë edhe obligime kushtetuese e ligjore. Ne i patëm shtyrë në dhjetor të vitit të kaluar për fund të prillit zgjedhjet, nuk mundëm t’i shtynim edhe një herë. Dhe tash kemi katër kryetarë atje. Unë e kuptoj se nuk janë kryetarë në kuptimin normal e standard të fjalës, mirëpo legaliteti është i domosdoshëm. Arkitektura e Republikës së Kosovës nuk lejon që qytetari të ngelet pa komuna, ndërkaq për funksionim të shërbimeve publike Ministria e Financave e Qeverisë së Republikës së Kosovës e ka të domosdoshëm kryetarin e komunës. Andaj tash i kemi kryetarët e komunës dhe do të dëshiroja që të ketë rrethana të tjera e të mos e kishim këtë dalje të ulët, por kjo vjen si pasojë e braktisjes së institucioneve nga Lista Serbe me urdhra të Beogradit dhe vjen si pasojë e bojkotit që ata e bënë para zgjedhjeve. Me fjalë të tjera, Lista Serbe ka gabuar, mirëpo gabimin e Listës Serbe nuk mund ta paguajnë edhe shteti i Kosovës edhe qytetarët e vendit tonë. Gabimin e Listës Serbe duhet ta paguajë Lista Serbe. Ata është dashur të marrin pjesë në zgjedhje, jo të bojkotojnë, sepse Kosova është vend demokratik e progresist me vlera evropiane dhe orientim perëndimor. Sido që të jetë, jemi këtu ku jemi, nuk do të jetë mandat i plotë, ne e dimë këtë, pra nuk bëhet fjalë për mandat 4-vjeçar dhe nuk do të jenë udhëheqës komunalë me “U” të madhe, do të jenë udhëheqës me “u” të vogël. Unë kam dhënë instruksione që të mos ketë kurrfarë triumfalizmi pas këtyre zgjedhjeve, nuk dëshiroj që askush të dominojë mbi dikë tjetër, mirëpo është e domosdoshme që këta 4 kryetarë tash të formojnë qeverisje që do të jenë multietnike, multikulturore, multipartiake dhe t’iu shërbejnë qytetarëve pa dallim. Pra kryetari i komunës, udhëheqësi komunal, është shërbëtor i qytetarëve, nuk është sundimtar i tyre dhe unë besoj që gjithçka duhet të shkojë në mënyrë paqësore, demokratike dhe pa incidente.”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments