Sunday, November 24, 2024
HomeLajmePër çka po dyshohet Nagip Krasniqi?, KEK e mohoi, avokati thotë se...

Për çka po dyshohet Nagip Krasniqi?, KEK e mohoi, avokati thotë se bëhet fjalë për “remontin e kalldajës në Bllokun A5 ”

Ende s’dihet saktësisht se cila kontratë e çoi në burg Kryeshefin tashmë të pezulluar të KEK’ut, Nagip Krasniqin. Raportime ka shumë lidhur me kontratën për të cilën mund të jetë arrestuar Krasniqi, por jo edhe konfirmime zyrtare. KEK i ka mohuar para një jave raportimet se arsye mund të jetë kontrata për riparimin e kalldajës së bllokut A-5, por avokati i tij ka thënë se dyshimet e Prokurorisë janë pikërisht për këtë kontratë. Gazeta Express ka pyetur Prokurorinë Speciale se për cilën kontratë po hetohet Krasniqi, por s’ka marrë përgjigje.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, para një jave është arrestuar Kryeshefi i KEK’u, Nagip Krasniqi. Atij i është caktuar edhe masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Krasniqi dyshohet për tri vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Ushtrimi i ndikimit dhe Konflikti i interesit.

Nga dita e arrestimit e deri sot, nëpër media kanë qarkulluar shumë raportime lidhur me kontratat që mund ta kenë çuar në burg Krasniqin, i cili para dy ditësh është pezulluar nga pozita e kryeshefit. Por, konfirmim nga Prokuroria Speciale s’ka ende.

Fillimisht u raportua se kontrata për të cilën u arrestua Krasniqi është ajo për riparimin emergjent të kalldajës së bllokut A-5 të Termocentralit Kosova A, që kishte vlerë 3.4 milionë euro.

Kontrata për këtë tender që është ishte dhënë me procedurë të negociuar, ishte nënshkruar më 27 janar të këtij viti.

Riparimi i kësaj kalldaje i ishte besuar grupit të operatorëve ekonomikë “Litëin SA; Bujar B. Shala B.I”.

“Punët e demontimit, Pastrimin dhe krijimin e kushteve për punë, Shqyrtimet në sistemin gypor dhe paimeve të demtuara dhe atyre që janë nën dyshimin e dëmtimit, Liferimin e paimeve të specifikuara, montimin e paimeve të reja, Sanimi i paimeve të dëmtuara, Ekzaminimin sipas standardeve për saldet në pjesen nën presion me 10%- me radiografi, Komisionimin e ftoftë dhe të nxehtë, që nënkupton; kthimin në punë dhe ekzekutimin e testit funksional të bllokut ; kontrrollat e sigurisë dhe dorëzimin e raportit për punët e kryera”, ishin punët që do të kryente ky grup i operatorëve ekonomikë.

Por, Korporata Energjetike e Kosovës reagoi për këto raportime, duke i quajtur të pavërteta.

Përmes një reagimi në Facebook, KEK tha se kjo kontratë është ndërprerë më 20 mars dhe se s’është realizuar asnjë pagesë në favor të operatorit.

“Kontrata për “Riparimin emergjent të kaldajës në Bllokun A5”, është nënshkruar ne fund të muajit janar të këtij viti, por që e njëjta është ndërprere më dt. 20.03. 2023 pasi që operatori ekonomik ka dështuar t’i plotësojë kushtet kontraktuale sipas kontratës se nënshkruar (dorëzimin e garancionit financiar për ekzekutimin e punëve). Prandaj është më rendësi të theksohet se KEK nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar meqë asnjë pagese nuk është realizuar në favor të operatorit”, thuhet në reagimin e KEK.

Edhe pse KEK e mohoi, ka qenë avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, ai i cili e ka konfirmuar se klienti i tij po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare pikërisht për këtë kontratë.

“Vepra penale qe ngarkohet Nagip Krasniqi  ka të bëje me supozimin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtare për përfitim për vete ose dikë tjetër. Dyshimi i bazuar sipas prokurorisë është ekzistimi i kontratës me Kompaninë Zvicerane për riparimin e kaldajës për bllokun A5. Kjo kontratë është shkëputur me datë 20.03.2023 nga vet Nagip Krasniqi. Asnjë pagese nuk ështe bëre. Prokuroria është e njoftuar me ketë detaj. Askush nuk ka përfituar. KEK nuk ka pasuar asgjë. Si rrjedhoje lidhur me ketë çështje nuk mund te ekzistoj vepra penale”, ka shkruar Ibrahimaga në Facebook.

Sipas tij, emergjenca e mungesës së energjisë elektrike e ka shtyrë klientin e tij që të negociojë direkt me dy kompani, njërën në Maqedoninë e Veriut dhe tjetrën në Zvicër.

“…është konsideruar si kontratë emergjente pasi nëse nuk hyn në funksion sa më shpejt blloku A5, atëherë duhet të importohet rrymë dhe unë s’e di se çfarë mund të jetë më emergjencë se kjo”, ka deklaruar ai mbrëmë në Klan Kosova.

Gazeta Express e ka pyetur Prokurorinë Speciale se për cilën kontratë po hetohet Krasniqi, por deri tash s’ka marrë përgjigje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments