Familjarët e kanë konfirmuar se 77-vjeçari që u gjet i vdekur sot në Liqenin e Badovcit është Gafurr Gashi, i cili ishte shpallur si i zhdukur para dy ditësh.
Këtë e ka konfirmuar djali i tij Drilon Gashi, për Paparacin.
Ekipi Mjekësor i Emergjencës pas marrjes së informatës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimit për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar vdekjen e të moshuarit.
Po ashtu atje kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Ai u gjet i vdekur sot rreth orës 11:30 nga nga ekipi i kërkimit i përbërë nga njësite policore dhe të FSK-së, në liqenin e Badovcit.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse në polici për Rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 11:30, nga ekipi i kërkimit i përbërë nga njësite policore dhe të FSK-së, në liqenin e Badovcit është gjetur një trup i pajetë. Ekipi mjekësor në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e viktimës. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se bëhet fjalë për personin mashkull G.G, i cili nga familjarët është raportuar i zhdukur më datën 17 prill 2023, në stacionin e Lipjanit”.