Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeProkuroria precizon aktakuzën para fjalës përfundimtare në procesin ndaj ish-ministrit Rikalo dhe...

Prokuroria precizon aktakuzën para fjalës përfundimtare në procesin ndaj ish-ministrit Rikalo dhe të tjerëve

Në gjykimin ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo e të tjerëve, të cilët po akuzohen për korrupsion, prokurorja Habibe Salihi ka bërë precizimin e aktakuzës sa i përket dëmit të pretenduar dhe në dispozitivin e parë ka shtuar disa ligje.

Së bashku me ish-ministrin Rikalo për korrupsion po akuzohen edhe Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë ishte paraparë që të jepej fjala përfundimtare nga palët, por paraprakisht prokurorja Salihi e ka njoftuar gjykatën se ka bërë një precizim të aktakuzës sa i përket dëmit të shkaktuar dhe ka shtuar disa ligje në pjesën e parë të dispozitivit.

Sipas prokurores Salihi, duke u bazuar në ekspertizë tani vlera e dëmit është 3 milionë e 356 mijë e 035 euro e 77 centë, ndërsa më parë dëmi i pretenduar kishte vlerën 4 milionë euro.

“Ka të bëjë me pjesën e parë të dispozitivit,  ashtu që në pjesën ku është përcaktuar se të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me ligjin është shtuar “në kundërshtim me ligjin 03/L-21 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 3/L-48 për menaxhimin e financave publike, Ligjin 06/L-020 për Buxhetin e Republikës se Kosovës, Ligjin 03/L-22 për ndryshim dhe plotësim të Ligjit 03/L-48, Ligjin 03/L-48 është shtu edhe pjesa dhe me ligjin 03/L-48, ndërsa pjesa tjetër e ligjit që ka qenë mbetet e njëjtë dhe është bërë precizimi i dëmit që është në vlerë prej 3.356.035,77 euro, pjesa tjetër e dispozitivit të aktakuzës mbetet e pandryshuar”, ka thënë prokurorja Salihi.

Lidhur me këtë precizim të aktakuzës, mbrojtësi i të akuzuarit Rikalo, avokati Miograd Brkljaq ka thënë se ky është një ndryshim i rëndësishëm i cili bazohet në ekspertizën e ekspertit Ferizi i cili saktësisht ka gjetur vlerën 3 milionë e 356 mijë euro dhe kjo shumë sipas tij nuk ka dal vetëm nga programi i veçantë i cili ka qenë objekt shqyrtimi, por edhe të një programi tjetër të veçantë.

“Kjo shumë nuk është e dalur për shumën e kontestuar për programin e veçantë është jo vetëm prodhim i programit të veçantë, këtu është kalkuluar edhe një program i dytë i veçantë ashtu ta quajmë për Veri të Kosovës, ne për këtë problem nuk kemi ngritur asnjë fjalë këtu, ne në fillim unë dhe klienti im kemi vërtetuar që nuk është në pyetje vetëm një program, kësaj këtu i futet në aktakuzë një pozitë juridike edhe më e vështirë për klientët tanë”, tha avokati Brkljaq.

Por sipas tij, nëse shikohet vetëm matematikisht atëherë klientët e tyre janë në një pozitë më të mirë sepse nuk bëhet fjalë për 4 milionë e diçka por bëhet fjalë për 3 milionë e 350 mijë euro.

“Këtu dëmi bazohet në vlera jo vetëm për programin për të cilin ne e kemi shqyrtuar këtu mirëpo edhe për program tjetër për të cilin ne nuk kemi thënë asnjë fjalë të vetme,  dhe për këtë program nuk janë zhvilluar hetimet, dhe ky program nuk është i cekuar dhe i përfshirë në aktakuzë  si mundet tani te paraqitet ndonjë dëm në bazë të se cilës ky program nuk ka qenë i përfshirë as në aktakuzë as shqyrtimin të cilin në këtu e kemi shqyrtuar”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Kapllan Hamili, avokati Artan Qerkini ka thënë se prokuroria ka bërë një ndryshim juridik të aktakuzës e jo faktik.

“Ligji e thotë që prokuroria ka të drejtë me ndryshu aktakuzën kur gjendja e fakteve ndryshon, gjendja faktike ndryshon si rezultat i administrimit të provave,  për me legjitimu ndryshmin e aktakuzës prokuroria është dashtë të tregoj se në çfarë aspekti ka ndryshu gjendja faktike si rezultat i procedurës së provave dhe këtu po e shohim se prokuroria po e bën një precizim juridike dhe jo faktik”, ka theksuar Qerkini.

Sipas tij, nëse prokuroria thotë “në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike,  Ligji për Buxhetin”, duhet me i tregu veprimet konkrete të të pandehurve që bien ndesh me këto ligje, sepse sipas tij, provat administrohen për t’i vërtetuar pretendimet  për shkelje ligjore.

“Gjatë gjithë kësaj procedure janë admisnitru prova për me ardh deri tek përfundimi nëse të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe provat janë administruar në këtë drejtim. E tash përnjëherë e kemi një ndryshim të bazës ligjore e jo faktike pa tregu fare cilat prova, cilat fakte me cilët të pandehur kanë të bëjnë”, ka thënë tutje avokati Qerkini.

Më pas, prokurorja Salihi ka thënë nuk e ka parë të nevojshme paraprakisht që të bëhet precizimi, pasi që sipas saj, precizimi ka të bëjë vetëm me bazë ligjore, e që veprimet e të pandehurve që janë përshkruar në dispozitiv të aktakuzës ndërlidhen pikërisht me këto ligje.

Lidhur me këtë çështje, për të qenë sa më korrekt ajo kërkoi nga gjykata që seanca e sotme të shtyhet në mënyrë që palëve t’ua dorëzojë në mënyrë elektronike një parashtresë ku do të precizohen saktësisht veprimet e të pandehurve në raport me shkeljet e ligjeve si dhe neneve përkatëse.

Andaj, me qenë se ky ndryshim nga prokurorja është bërë para fjalës përfundimtare dhe marrë për bazë edhe pretendimet e avokatit Qerkini, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari mori aktvendim me të cilin e obligoi prokurorinë që në afat prej 10 ditësh të përgatis parashtresën ku precizohen saktësisht veprimet e të akuzuarve në raport me shkeljet e ligjeve dhe neneve përkatëse.

Sipas gjykatësit, e njëjta parashtresë t’iu dorëzohet mbrojtjes, të cilët pastaj kanë të drejtë të propozojnë ndonjë provë në raport me ndryshimet.

E po ashtu, obligohen edhe mbrojtësit që të japin me shkrim përgjigjet e tyre lidhur me ndryshimet që ka bërë prokuroria.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 25 maj 2023.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, më 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëjë kontroll administrativ, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkëlzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural.

Kështu thuhet se i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’iu mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.

Sipas akuzës, të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësojë përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments