Një autokolonë diplomatike e Shteteve të Bashkuara është sulmuar me armë zjarri të hënën, por askush nuk është lënduar, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Ky veprim është i pamatur, i papërgjegjshëm dhe sigurisht i pasigurt”, tha ai për gazetarët në Japoni pas takimit të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7).
Sudani që disa ditë po përballet me luftime të ashpra midis forcave rivale.
Më herët u raportua se ambasadori i Bashkimit Evropian në Sudan, Aidan O’Hara, është sulmuar në shtëpinë e tij në kryeqytetin Kartum.
Afër 185 persona janë vrarë dhe mbi 1.800 të tjerë janë plagosur gjatë tre ditësh luftime në Sudan, kanë thënë Kombet e Bashkuara. Qyteti Kartum është përballur me sulme ajrore dhe luftime të ashpra.
Si ushtria, ashtu edhe grupi paramilitar i quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, kanë pretenduar se kanë kontrollin e vendeve kyçe në Kartum, ku qytetarët janë strehuar pas shpërthimeve.
Ambasadori O’Hara nuk është plagosur rëndë, ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Irlandës, Michael Martin. Ai e ka përshkruar sulmin si “shkelje të rëndë të obligimeve për të mbrojtur diplomatët.
Kryediplomati irlandez ka thënë se ambasadori është një “diplomat i shquar irlandez dhe evropian që shërben për BE-në në rrethanat më të vështira”.
Ndërkaq, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, ka deklaruar se aktualisht nuk ka plane për të evakuuar personelin amerikan nga Sudani, pavarësisht shqetësimeve të sigurisë dhe mbylljes së aeroportit në Kartum. Por, ai u ka bërë thirrje të gjithë amerikanëve që ta trajtojnë situatën “me seriozitetin më të madh”.
Konflikti ka detyruar shumë civilë që të strehohen në shtëpitë e tyre, pas frikës se konflikti i zgjatur mund ta çojë shtetin në krizë më të thellë.
Përveç luftimeve në aeroportin kryesor të Kartumit, edhe spitalet janë bombarduar. Po ashtu, ushtria raportohet se ka sulmuar disa baza të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.
Luftimet po zhvillohen midis njësive të ushtrisë, që janë besnike ndaj liderit de facto, Gjeneralit Andel Fattah al-Burhan, dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, grupit famëkeq paramilitar që udhëhiqet nga zëvendëslideri i Sundanit, Mohamed Hamdan Dagalo, që njihet edhe si Hemedti.
Hemedti deklaroi më 17 prill se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyrë dhe e cilësoi Burhanin si “islamik radikal që po bombardon civilët nga ajri”. Burhan ka deklaruar se është i gatshëm të negociojë.
Të dyja palët kanë respektuar një armëpushim të shkurtër të dielën, që ka lejuar të plagosurit të evakuohen./REL/