Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeOpozita kundër faljes së 100 eurove në faturat e tatimit, kërkon anulimin...

Opozita kundër faljes së 100 eurove në faturat e tatimit, kërkon anulimin e vendimit

Qeveria e Kosovës miratoi ditë më parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme përmes së cilit tatimpaguesit mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro apo sa lartësia e faturës.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë kundër këtij projektligji. Edhe pse Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka trajtuar të njëjtin, ata thonë se nuk do ta mbështesin.

Deputeti nga PDK, Ferat Shala, kërkon që të anulohet vendimi për vlerësimin e pronës për vitin 2022 dhe të vazhdojë pagesa për tatim në pronë edhe këtë vit sipas ligjit në fuqi pa ndryshime.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar nga qeveria që ta pezullojë rritjen e faturave të tatimit në pronë.

Deputetja nga kjo parti, Valentina Bunajku, thotë se Qeveria fillimisht e rriti faturat, pastaj u mundua t’ua hedhë fajin Komunave e tani kërkon të shpërndajë “vitra”.

Ky muaj, është afati i fundit për pagesë për këstin e parë të tatimit në pronë, ndryshe pësojnë gjobat. KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje se kur do të fillojë së trajtuari ky projektligj në Kuvend, por pa sukses.

Në fillim të këtij viti, pas publikimit të faturave të reja, pati reagim të madh në lidhje me vlerësimin e pronave që çoi edhe në rritjen e pagesës së tatimit në pronë.

Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet./KP/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments