Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të mbajë sot mbledhje, ndërkaq pritet të miratohet lista me qendrat e votimit.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Telegrafin se në këtë mbledhje pritet të miratohet lista me qendrat e votimit, të cilat do të hapen për zgjedhjet e 23 prillit në veri të vendit.
“Ju njoftoj se mbledhja e radhës e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbahet të premten, më 14 prill, me fillim në orën 13:30. Në rend të ditës është planifikuar që nga anëtarët e KQZ-së të shqyrtohen dhe miratohen disa çështje në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 prillit”, ka thënë ai.
KQZ-ja në disa mbledhje e ka shtyrë shqyrtimin e rekomandimeve të Këshillave Komunal Zgjedhor për qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.
Si arsyetim është thënë se kërkojnë më shumë informacione nga organet e sigurisë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.
Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.