Blloku A-5 i Termocentralit Kosova A pritet të kthehet në funksion këtë muaj. Ky bllok, që mbulon 13 për qind të konsumit të energjisë elektrike në Kosovë, ka qenë jashtë funksionit qe nëntë muaj. Para tri ditësh, janë ngritur dyshime se po lihet qëllimisht jashtë funksionit. Zyrtari i LDK’së, Visar Azemi, ka thënë se ky bllok do të mund ta shmangte shtrenjtimin e rrymës.
Pas gati nëntë muajsh, Korporata Energjetike e Kosovës pritet t’i ketë në funksion të gjitha njësitë. Në fund të prillit, do të kthehet në funksion edhe blloku A-5 i Termocentralit “Kosova A”, që ka qenë jashtë funksionit që nga korriku i vitit 2022.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KEK, Skënder Bucolli.
“Bazuar në BVEE 2023, njësia A5 e propozuar me dt. 30.03.2023, me rekomandim TCA do të rikthehet në operim me dt. 28.04.2023 (kjo për arsye të punëve shtesë në rotorin e gjeneratorit)”, ka deklaruar Bucolli.
Sipas tij, KEK është duke operuar aktualisht me katër njësi.
“Aktualisht jemi duke operuar me 2 njësi (B1 dhe B2) të TC Kosova B dhe 2 njësi (A3 dhe A4) të TC Kosova A me një kapacitet prej rreth 18000 MWh”, thuhet në përgjigje.
Dyshimet e zyrtarit të LDK’së se Blloku A5 u la me qëllim jashtë funksionit
Para tri ditësh, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka ngritur dyshime se ky bllok është lënë qëllimisht jashtë funksionit, duke drejtuar gishtin ka Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Azemi tha se po të mos ishte zvarritur remonti i këtij blloku e do të ishte menaxhuar si duhet, s’do të kishte nevojë që energjia elektrike të shtrenjtohej për rreth 15 përqind.
“Nëse nuk do të ishte zvarritur remonti i këtij blloku e do të ishte menaxhuar si duhet, nuk do të kishte pasë nevojë për këtë ngritje të çmimit prej 15%. E krejt kjo situatë e krijuar me mungesën e vullnetit për të investuar në kapacitete të prodhimit duket të jetë e qëllimshme dhe mund ti konvenojë vetëm mafisë energjetike ne krye me Martin Berishaj, për tu shndërruar në bankomat për Kryeministrin!”, shkroi Azemi.
Azemi tha se për të mbushur zbraztirën që do do të mund ta mbulonte ky bllok, për çdo ditë është importuar energji elektrike në vlerë rreth 1 milion euro.
“Blloku A5 i Termocentralit Kosova A prodhon mjaftueshëm energji elektrike për të mbuluar rreth 13% të asaj që i nevojitet Kosovës. Mirëpo, ky bllok është lënë jashtë funksioni qe 9 muaj me radhë. Për çdo ditë që kemi blerë energji elektrike për të mbushur zbrazëtirën që do të mund ta mbulonte blloku A5, Kosova ka paguar rreth 1 milion euro import ditor”, shkroi Azemi.
Problemet e KEK me këtë bllok
Remonti i kësaj njësie ishte zvarritur për disa muaj, meqë s’gjendej kompani e përshtatshme.
Problemet e KEK’ut me këtë njësi i kishte zbuluar fillimisht zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Ka 2-3 muaj që po kemi telash me e gjet një kompani të përgjegjshme, e cila e rehabiliton A5shin. Nuk ka. Tash kanë ardh disa oferta, jemi në process të trajtimit. Shumica e tyre të papërgjegjshme, jo serioze, sepse thjeshtë ka pak gatishmëri të kompanive me renome të vazhdojnë të merren me renovim të kapaciteteve të vjetra me qymyr. Nuk po aplikojnë, sepse kanë marrë udhëzime me shku me u marr me energji të ripërtëritshme, kapacitetet e tyre me u marr me energji të ripërtëritshme. Nuk është tu punu fare A5’shi, aty është problemi. Pa u kry renovimi…”, kishte deklaruar Bislimi.
Për të zgjidhur problemet me këtë njësi, KEK kishte angazhuar ekspertë gjermanë.
“Angazhimi i eksperteve për dhënien e rekomandimeve për aftësimin e bllokut A5”, ishte titulli i kontratës që i është dhënë kompanisë gjermane “DSD Power Technologies GmbH”, përmes procedurës së negociuar.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e-Prokurim, ekspertët gjermanë do të paguheshin gati 53 mijë euro për dhënien e këtyre rekomandimeve, çmim ky që ishte llogaritur pa TVSH (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar).
Faturat e shtrenjta nga ky muaj
Nga 1 prilli, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, që janë më të shtrenjta për 15 përqind.
Miratimin e këtyre tarifave, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji e ka arsyetuar me furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike dhe kostot e larta të importit.
Nga ZRRE kishin dhënë detaje edhe se si do të reflektohet ky shtrenjtim, në faturat mujore.
“Për konsumatorët që kanë konsum shtëpiak deri 300 kËh, fatura mujore do të ketë rritje prej 2 euro e 88 centë. Për konsumatorët që kanë konsum deri 450 kWh, konsumatorët do të kenë rritje mujore prej 4 euro e 20 centë. Për konsumatorët që kanë konsum deri në 600 kWh, rritja mujore do të jetë deri në 5 euro, ndërsa për konsumatorët që kanë konsum deri në 800 kWh, rritja mujore do të jetë rreth 7 euro e 23 centë”, kanë deklaruar nga ZRRE.
Këto tarifa do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.