Gjykata Speciale urdhëroi Salih Mustafën të paguajë shumën prej 207 mijë eurosh si kompensim për dëmin e shkaktuar viktimave, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 26 vite burgim. Në seancën për caktimin e urdhrit për zhdëmtim të viktimave, kryetarja e trupit gjykues deklaroi se Mustafës i mungojnë pjesërisht të hyrat si dhe e ftoi Kosovën të krijojë një mekanizëm për kompensimin e viktimave. Njohësit e drejtësisë vlerësojnë se krijimi i një mekanizimi të ri do ta dëmtonte buxhetin e shtetit, gjithashtu KMDLNJ ka reaguar se Qeveria e Kosovës nuk mund të ngarkohet me detyrime që “nuk janë të rregulluara me Ligj”. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha për Gazetën Express se akoma nuk kanë pranuar asnjë kërkesë me shkrim nga Gjykata Speciale lidhur me krijimin e këtij mekanizmi.
Ramiz Durmishi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se krijimi i një mekanizmi të ri për kompensimin e viktimave është i panevojshëm dhe do ta ngarkonte buxhetin e Kosovës.
“Trupi Gjykues rikujtoi se edhe pse përgjegjësinë për pagesën e kompensimit për viktimat e mban ekskluzivisht z. Mustafa, në kohën e lëshimit të Urdhrit për Zhdëmtim, tanimë i dënuari Mustafa nuk zotëron mjete financiare për zbatimin e plotë të këtij urdhri. Andaj ftoi Qeverinë e Kosovës që te krijojë një mekanizëm të ri për zbatimin e këtij vendimi. Mirëpo, ne urdhrin për kompensim, Trupi Gjykues potencon se programi i Kosovës për kompensimin e viktimave të krimit mund të jetë një alternativë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, me vërejtjen se shumat maksimale që mund të akordohen nga ky program janë më të ulëta se ato të përcaktuara në Urdhrin për Zhdëmtim. Sipas mendimit tim, zgjidhje më e mire për zbatimin e këtij urdhri, pas plotfuqishmërisë së tij, do të ishte pikërisht Programi ekzistues për kompensimin e viktimave te krimit, ne rast se Qeveria e Kosovës merr për sipër zbatimin e këtij urdhri. Kurse sa i përket lartësisë së shumës së kompensimit, mendoj se kjo do te mund të merrej para sysh nga gjykata para lëshimit të urdhrit dhe të konsultohej paraprakisht legjislacioni ekzistues i Kosovës. Kurse sa i përket, idesë së krijimit të një mekanizmi të ri për kompensimin e viktimave të krimit qe ndërlidhen më DhsK, mendoj se një gjë e tillë është e panevojshme dhe veç se do ta ngarkonte buxhetin e Kosovës edhe me një institucion paralel te panevojshëm dhe i cili nuk do te garantonte një efikasitet”, tha Durmishi për Gazetën Express.
Tutje, hulumtuesi i IKD-së, Ramiz Durmishi, vlerëson se viktimat do të duhej t’i drejtoheshin Komisionit për Kompensimin e viktimave i cili do të caktonte edhe lartësinë kompensimit dhe jo Gjykata të marrë një vendim për kompensim
“Sa i përket veprimeve që do të duhej të ndërmerrte Qeveria e Kosovës ne lidhje me këtë vendim, mendoj se ky vendim do të duhet goditur me ankesë, pasi që derisa Trupi Gjykues ka konstatuar se tani me i dënuari Mustafa nuk ka mundësi financiare te bëjë kompensimin e viktimave, ne këto rrethana viktimat do te duhej ti drejtoheshin Komisionit për Kompensimin e viktimave i cili ne bazë të kompetencave ligjore dhe profesionale do te caktonte edhe lartësinë kompensimit siç parashihet me ligj, dhe jo Gjykata te marr një vendim për kompensim i cili nuk bazohet ne legjislacionin ekzistues dhe ta obligoj Qeverinë qe të krijoj mekanizëm dhe legjislacion te cilin do ta ja përshtat vendimit te trupit gjykues”, shprehet ai.
Në këtë situatë, ai thekson se mbrojtja e të akuzuarve është e rregulluar me ligj, ndërsa për kompensim të viktimave lidhur me rastet e DhSK nuk kemi ligj të veçantë.
“Në urdhrin për kompensim përmendet edhe diskriminimi që do u bëhej viktimave në raport me të akuzuarit, pasi qe ne llogari të mbrojtjes së të akuzuarve po u shpenzuakan miliona, ne ketë drejtim, mendoj se duhet pasur parasysh qe mbrojtja e te akuzuarve është e rregulluar me ligj te veçantë, pra për ketë kategori kemi rregullim ligjor, kurse për kompensimin e viktimave te krimit lidhur me rastet ne kompetencë të DhsK, nuk kemi një ligj te veçantë qe e rregullon ketë materie dhe prandaj si e tillë do te duhet trajtuar me legjislacionin ne fuqi dhe jo te obligohej Qeveria te krijoj mekanizma, apo thënë ndryshe, të obligohej Kuvendi qe te nxjerr një ligj me te cilin do ta mundësonte zbatimin e urdhrit për kompensim. Andaj, nëse Qeveria e Kosovës vendos të marr përsipër kompensimin e viktimave të rastit ne fjalë, një gjë e tillë do te duhet të bëhej ne bazë të ligjit për kompensimin e viktimave te krimit i cili është ne fuqi ne Kosovë, kjo pasi qe nuk ka rrugë tjetër ligjore në baze të së cilës do të mund të bëhej zbatimi i urdhrit te Trupit Gjykues”, tha ai.
Se di do t’i përgjigjet kësaj ftese të Speciales, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu nuk ka dhënë detaje, por ka thënë se nuk kanë pranuar ende ndonjë kërkesë me shkrim për krijimin e këtij mekanizmi.
“Në lidhje me pyetjet tuaj, ju njoftojmë se ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë me shkrim nga Gjykata Speciale që ndërlidhet me krijimin e këtij mekanizmi”, tha Kryeziu për Gazetën Express.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, i tha Expressit se viktimat duhet t’i paguajë gjykata e jo Qeveria e Kosovës.
“Nëse ata i konsiderojnë viktima le t’i paguan gjykata vetë, qysh po ka pare me dhanë miliona për këtë gjykatë, edhe viktimat që i quajnë ata le t’i paguajnë vetë. S’duhet as Qeveria e Kosovës as Salih Mustafa me i pagu viktimat se pak e kanë dënu 26 vjet politikisht veç edhe do të ja paguajnë edhe viktimat. Viktimat le t’i paguan gjykata, Bashkësia Europiane qysh po financion këtë gjykatë le t’i paguan edhe ato viktima që i quajnë”, ka deklaruar Klinaku.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka vlerësuar se aktualisht nuk ka asnjë bazë ligjore që do të kompensojë në baza mujore viktimat e supozuara nga UÇK, dhe rrjedhimisht për këtë arsye Qeveria e Kosovës nuk mund të ngarkohet me detyrime që nuk janë të rregulluara me ligj.
“Aktualisht nuk ka asnjë bazë ligjore që do të zhdëmtojë apo kompensojë në baza mujore viktimat e supozuara nga UÇK-ë dhe, rrjedhimisht për këtë arsye qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë nuk mund të ngarkohet me detyrime që nuk janë të rregulluara me Ligj. Për ta ekzekutuar vendimin e Gjykatës Speciale duhet të krijohet një bazë ligjore sikur që edhe ekspertë nga Kosova duhet të ngarkohen me përgjegjësi me përcaktimin e shumës së zhdëmtimit. Sipas ligjeve të Kosovës ekzekutimi i zhdëmtimit duhet të bëhet përmes procesit të përmbarimit ndërsa Gjykata Speciale nuk ka përmbarues të saj në ndërkohë që nuk i beson asnjë institucioni të Kosovës përfshirë këtu edhe përmbaruesit prandaj kërkon të formohet një autoritet mbikëqyrës për zbatim të urdhërit për dëmshpërblim”,është thënë ndër të tjera në reagimin e KMDLNj-së.