Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për agresionin e saj mbi Ukrainë, ka rënë dakord të furnizojë me armë Kievin ose i ka dërguar ato tashmë, sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit.
Siç vë në pah Reuters, përcjell Telegrafi, dokumenti, një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake ose armë, ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të postuara në internet javët e fundit në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.
I titulluar “Evropa|Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.
Grafiku tregonte se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte armë vdekjeprurëse ose e kishte furnizuar Ukrainën tashmë.
Ai tha gjithashtu se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
Dokumenti është shënuar me Sekret dhe NOFORN, duke ndaluar shpërndarjen e tij për shërbimet e huaja të inteligjencës dhe ushtritë.
Ajo mban datën 2 mars dhe është e stampuar me vulën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përbashkët.
Megjithatë, Reuters shkruan se nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur autenticitetin e dokumentit.
Gjithashtu zyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ambasada e Ukrainës nuk i janë përgjigjur menjëherë një kërkese për koment.
Pentagoni gjithashtu nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Reuters në lidhje me referencën e dokumentit për Serbinë dhe më parë ka refuzuar të komentojë ndonjë nga dokumentet e zbuluara.