I dërguari i posaçëm i SHBA dhe koordinatori i Qendrës për Çështje të Rëndësisë Globale, James Rubin, i cili erdhi në rajon për të vizituar Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën, “u ndal” edhe në Prishtinë, ku qëndroi jashtë agjendës zyrtare dhe pa takime zyrtare.
“”Është gjithmonë kënaqësi të jesh në Kosovë”, ka shkruar Rubin në Twitter, i cili, siç raporton Zëri i Amerikës, ka thënë se nuk kishte plane këtë herë të vizitonte Prishtinën dhe Beogradin.
Para arritjes së tij në rajon, Departamenti i Shtetit njoftoi se Rubin do të vizitojë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë prej 10 deri më 14 prill dhe në atë njoftim nuk u përmend vizita në Prishtinë, ku ai qëndroi “në tranzit” pa takime dhe takime zyrtare.
Në Podgoricë dhe Shkup, Rubin po takohet me zyrtarë qeveritarë për të përforcuar mbështetjen për iniciativat kundër dezinformimit, ndërsa në Tiranë do të marrë pjesë në një takim me ambasadorët e SHBA nga Ballkani Perëndimor.
Rubin, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë ka thënë se në vizitën e tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të shkojë në Serbi sepse nuk mendon që është “diplomati më i mirë” për t’u takuar me zyrtarë të Qeverisë serbe.
“Nuk do të udhëtoj në Serbi me këtë rast. Shikoni, unë jam realist. E di se, duke marrë parasysh të kaluarën time, unë nuk jam ndoshta diplomati më i mirë për t’u takuar me zyrtarë të Qeverisë serbe”, ka thënë Rubin.
Rubin është shprehur se është në dijeni për realitetin në rajon dhe sipas tij Kosova dhe Serbia duhet t’i lënë pas disa nga padrejtësitë e të kalaurës dhe të fillojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre.
“Unë jam në dijeni për realitetet e rajonit. Nga ana tjetër, ne kemi një mundësi tani – dhe mund të flasim për këtë në një minutë – ku Serbia dhe Kosova mund të fillojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe ne t’i lëmë pas disa nga këto padrejtësi të së kaluarës”, ka thënë Rubin.