Shkëqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitajt e cila u vra në bjeshkët e Deçanit në nëntor të vitit 2015, është shumë i indinjuar pasi Gjykata Supreme të enjten e liroi të akuzuarin Naser Pajazitaj.
Shkëlqimi tha në Frontal në T7 se pasi Donjeta nuk po gjendej, i akuzuari kishte qenë disa herë te familja e tyre.
“Bashkë me familjarët ka ardhur disa herë te familja jonë për të pyetur”, tregon Shkëlqimi.
Ai tha se në bazë të disa pamjeve të kamerave, Naser Pajazitaj kishte marrë Donjetën me veturë.
“Gjipi i Naserit ndalet, hapet dera dhe hyn dikush me flokë të bardha. Ai ka thënë jam ndalë dhe e kam përshëndetur një dëshmitar i cili ka thënë se as nuk e kam takuar”, thotë Shkëlqimi.
Siç thotë ai, gjatë vizitave të tij pas zhdukjes së Donjetës, Naser Pajazitaj në një rast kishte thënë se e kishte parë në disa vende.
“Ka ardhë te ne ka thënë e kemi parë në diskoteka, nëpër vende ku bëhet prostitucion”, thotë Shkëlqimi.
“Kanë kaluar gjashtë javë dhe kur është gjetur kufoma, pas varrimit dy ditë ka ardhur në të pame dhe ditën e tretë nuk ka ardhë”, thotë ai.
Trupin e Donjetës e kishin gjetur në mal disa banorë të Strellcit.
“Krejt kjo pjesa e sipërme ishte e skeletosur”, thotë Shkëlqimi, kur tregon për gjendjen në të cilën ishte gjetur motra e tij.