Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeLutfi Haziri pas nisjes së gjykimit në Speciale: Duhet të vendoset drejtësi

Lutfi Haziri pas nisjes së gjykimit në Speciale: Duhet të vendoset drejtësi

Në këtë rrafsh, e vërteta e madhe është që drejtësi duhet të vendoset për të gjithë dhe kompensimi me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime, duhet të vendoset po ashtu”. Kështu përgjigjet përfundimisht Lutfi Haziri, kur pyetet për gjyqin në Hagë, zhurmën në Prishtinë dhe përmendjen e LDK-së, ndonëse kjo nuk është përfshirë në debatet për UÇK-në dhe gjykimin.

Lidhja Demokratike nuk është përfshirë në ngjarjet dhe polemikat e fundit që lidhen vetëm me UÇK-në dhe gjykimin e krerëve të saj. Por, megjithatë, LDK-ja ishte prej fjalëve kyçe të gjykimit në Hagë, kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, ka folur për Gazetën Express lidhur me nisjen e procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së, të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka ngarkuar me akuza për krime lufte .

Haziri thotë se Dhomat e Specializuara janë institucion i Kosovës, dhe tentimi i tretë për të vendosur drejtësi.

“Për herë të tretë Kosova po përballet me të kaluarën e saj për të vendosur drejtësi. Në rastin e parë administrata e OKB-së përmes UNMIK-ut dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, në rastin e dytë misioni evropian in EULEX i cili ka provuar dhe ka marrë masa për të vendosur drejtësi në Kosovë dhe tani Dhomat e Specializuara që përfaqësojnë institucionet e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe kjo duhet të barazohet me verdiktin e popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

“Praktikisht, Prokuroria e paraqet qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Gjykata jep vullnet në emër të popullit të Kosovës. Kjo është e vërteta e madhe”.

LDK-ja ka qëndruar e heshtur ditëve të fundit, duke mos u deklaruar as për marshin në mbrojtje të UÇK-së, që u mbajtë më 2 prill, dhe as për gjyqin që nisi një ditë më vonë. Megjithatë, javën e kaluar ka shpërthyer debat në Kosovë, se sa e padrejtë dhe e drejtë është Gjykata Speciale.

Zhurma, sipas Hazirit, rrjedh prej pakënaqësisë që në Hagë po gjykohen ish-krerët e shtetit.

“Kjo zhurmë politike dhe ky debat që është duke u zhvilluar në Prishtinë ka të bëjë me pakënaqësitë në rastin e fillimit të gjykimit kundër ish-presidentit, ish-kryekuvendarëve dhe ish-deputetit të VV-së”, ka thënë nënkryetari i LDK-së.

Ekipi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka përmendur disa aktivistë të LDK-së, duke akuzuar ish-krerët e UÇK-së se ata i kanë kërcënuar, intimiduar, keqtrajtuar. Ndërkaq mbrojtja dhe dy prej të akuzuarve, Thaçi dhe Krasniqi, kanë tentuar të tregojnë raportet e afërta që i kishin me partinë e Ibrahim Rugovës.

Lidhur me lakimin e emrit të partisë në Hagë, Haziri thotë se nuk ka zbardhje të fakteve në “rastet veçanta për emrat e veçantë” dhe se nuk janë parë që eksponentët e LDK-së të jenë subjekt i Gjykatës Speciale.

“LDK është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata, por jo në raste tjera të veçanta. Derisa nuk kemi zbardhje të fakteve në rastet e veçanta për emrat e veçantë. Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë”.

Ai thotë se duhet të vendosët drejtësi për këdo dhe duhet të bëhet kompensimi me drejtësi i të gjitha viktimave, duke përfshirë edhe ato, rastet e të cilave po hetohen dhe gjykohen nga ZPS-ja dhe Dhomat e Specializuara.

“Besojmë shumë që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë dhe uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët. Në këtë rrafsh, e vërteta e madhe është që drejtësi duhet të vendoset për të gjithë dhe kompensimi me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime, duhet të vendoset po ashtu”, ka thënë Haziri.

Katër ish-krerët e UÇK-së janë arrestuar në nëntor të vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill. Në ditën e parë, Prokuroria ka bërë një përmbledhje të akuzave, kryesisht duke tentuar ta shpjegojë se UÇK-ja ishte e strukturuar, e organizuar dhe Shtabi i Përgjithshëm kishte fuqi ekzekutive dhe kishte përgjegjësi për hallkat e tjera të ushtrisë. Ndërkaq, mbrojtja e të katërtave është marrë me kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të Prokurorisë. Kanë kundërshtuar se klientët e tyre kishin fuqi ekzekutive në UÇK, duke thënë se komandantët e Zonave Operative dhe Adem Demaçi si udhëheqës politik i UÇK-së, kishin kompetenca më shumë mbi atë formacion ushtarak. Gjyqi vazhdon nesër më 11 prill.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments