Mali i Zi dhe Shqipëria do të shpenzojnë rreth 20 milionë euro për t’i lidhur brigjet e dy qendrave bregdetare – Ulqinit dhe Velipojës – me një urë në Lumin Buna.
Plani është që në shtratin e Bunës, jo larg derdhjes së saj në Detin Adriatik, të vendosen shtylla mbajtëse prej betoni për urën 310 metra ta gjatë.
Por, ndërtimi i paralajmëruar po përcillet me shumë të panjohura nga ana malazeze. Ndër to janë: cilësia e terrenit ku do të ndërtohet, mungesa e planit hapësinor dhe ndikimi në llojet e peshqve të rrezikuar.
Nga ana shqiptare, lumi është përfshirë në listën Ramsar të ujërave me rëndësi ndërkombëtare. Plani për përfshirjen e Bunës në këtë listë edhe nga ana malazeze, nuk është realizuar.
Sipas aktivistes për mbrojtjen e mjedisit nga Ulqini, Zenepa Lika, plani i dy shteteve tregon një “rend të kundërt hapash për ndërtimin e kësaj ure”.
“Pala shqiptare e ka injoruar përfshirjen e një zone të njohur ndërkombëtarisht. Është jo më pak për të ardhur keq që pala malazeze nuk e ka marrë parasysh ndikimin negativ në vlerat natyrore të kësaj zone vërtet unike”, thotë Lika për Radion Evropa e Lirë.
Në vitin 1991, Mali i Zi është shpallur vend ekologjik. Ky përcaktim është përfshirë edhe në Kushtetutën e vendit.
Marrëveshja për ndërtimin e urës është nënshkruar më 27 shkurt në Podgoricë nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, pas një seance të përbashkët të dy qeverive.
Në atë kohë është thënë se ura do ta shkurtojë distancën midis Ulqinit dhe Velipojës nga 70 kilometra, sa është aktualisht, në vetëm disa kilometra.
Të dyja shtetet, po ashtu, do t’i ndajnë kostot e ndërtimit prej rreth 20 milionë eurosh, që do të thotë 11 milionë euro më shumë sesa që është paralajmëruar fillimisht, në qershor të vitit 2022.
“Është pak më shtrenjtë se hera e parë, por nuk është asgjë spektakolare. Nëse ndahet përgjysmë, nuk është vërtet shumë”, ka thënë Abazoviq në një konferencë me Ramën në fund të shkurtit.
Kryeministri shqiptar ka thënë se vendi i tij ka paguar për idenë e projektit, ndërsa ndërtimi do të mbulohet bashkërisht.
“Pagat janë më të larta në Mal të Zi, andaj nuk është e mundur që Shqipëria ta paguajë urën, nëse tashmë e ka paguar idenë e projektit”, ka thënë Rama.
Sipas paralajmërimeve, ura duhet të përfundojë në gusht të vitit të ardhshëm.
“Nuk e di se çka mund të jetë më efektive dhe më e lirë se kaq”, ka thënë Abazoviq.
Përmes marrëveshjes, të dyja shtetet e kanë marrë përsipër t’i përshpejtojnë dhe lehtësojnë procedurat për miratimin e lejeve të përshtatshme dhe përmbushjen e detyrimeve mjedisore.
Nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Mal të Zi thonë për Radion Evropa e Lirë se, për ndërtimin e urës, është e nevojshme që të përgatitet një raport i vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Në pyetjen nëse tashmë kanë marrë dokumente të caktuara që kanë të bëjnë me urën, nga Agjencia thonë se “të tillat nuk janë dorëzuar deri më tani”.
Përvoja e ndërtimit të urave në autostrada tregon se Mali i Zi nuk ka mekanizma të zhvilluar për monitorimin dhe ndjekjen e ndërtimit të projekteve të tilla.
Edhe pse ekologët malazezë kanë thënë se Lumi Tara është shkatërruar gjatë ndërtimit të një autostrade mbi gjashtë kilometra të gjatë, kompania kineze “China Road and Bridge Corporation (CRBC)”, që ka qenë kontraktore, ka ofruar të rehabilitojë vetëm gjysmë kilometri.
“Edhe nëse kemi bërë monitorimin, faktori njerëzor është hallka jonë e dobët, sepse ne, thjesht, nuk i shohim vlerat natyrore si një burim që duhet ta ruajmë, por i shikojmë vetëm nga prizmi i fitimit”, thotë Lika.
Pikërisht për shkak të mekanizmave të pazhvilluar të monitorimit dhe planifikimit, ndërtimi paraqet shqetësim për Lumin Buna, thotë drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare “Green home”, Azra Vukoviq.
“Sidomos për shkak se është një zonë që ka rëndësi të shumëfishtë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar”, thotë Vukoviq.
Lumi Buna është një korridor për migrimin e llojeve të rralla dhe të rrezikuara të peshqve nga deti në Liqenin e Shkodrës. Midis tyre është edhe ngjala evropiane, e cila ka statusin e një specieje shumë të rrezikuar.
Problemet ekologjike të krijuara më parë, të tilla si prania e mbeturinave dhe ujërave të zeza, zënia e habitateve nga ndërtimi i ndërtesave në brigjet e Bunës apo erozioni i tokës, i kanë vënë nën kërcënim speciet shtazore.
Vukoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërtimi i urës mund të paraqesë presion shtesë mbi këtë ekosistem të ndjeshëm.
“Sidomos nëse gjatë planifikimit dhe realizimit të punimeve nuk merren parasysh të gjitha masat për uljen e ndikimit në mjedis”, thotë ajo.
Ura do të vendoset mbi bifurkacionin e Lumit Buna në dy degë që formojnë resortin ekskluziv turistik të Adës në Mal të Zi, ku tashmë ka probleme me erozionin e plazhit.
Ky erozion mund të ketë një lloj ndikimi në stabilitetin e urës së ardhshme për shkak të distancës relative, thotë eksperti i kësaj fushe, profesori në pension, Sava Petkoviq.
Megjithatë, ai shton se ura e ardhshme do të ndërtohet në dy shtylla në shtratin e lumit, i cili përbëhet nga depozitime të trasha rëre.
“Andaj, stabiliteti i urës mund të kërcënohet nga erozioni lokal rreth shtyllave të urës”, thotë Petkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, këtë duhet ta tregojnë analizat e erozionit rreth shtyllave të urës.
“Nuk kemi marrë informacione se është bërë ndonjë hulumtim”, thotë Ksenija Vukmanoviq, udhëheqëse e ekipit për zhvillimin e Planit Hapësinor Urban në Ulqin.
“E kam kërkuar dokumentacionin nga Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, por deri më tani nuk kam marrë asgjë”, thotë ajo.
Ministria e Ekologjisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it për këtë temë.
Plazhet ranore të Ulqinit dhe Velipojës janë së bashku më shumë se 30 kilometra të gjata.
Duke folur për to, kryeministri i Malit të Zi ka thënë se ndërtimi i urës mund të jetë një arsye për investime të mëdha nga ana e Ulqinit.
“Pse dikush të mos mendojë se pas 10 apo 15 vjetësh, në atë zonë do të ketë një ‘Antali’”, ka thënë Abazoviq.
Entuziazmin e tij nuk e ndajnë disa peshkatarë ulqinakë.
“Ata nuk janë të kënaqur me idenë e ndërtimit të një ure, sepse mendojnë se kjo do të ndikojë në stokun e peshkut”, thotë Lika.
Sipas saj, ulqinakët nuk e kuptojnë mjaftueshëm se si do të ndikojë ndërtimi i urës në natyrë, sepse janë të etur për investime infrastrukturore, që, siç thotë, kanë munguar në këtë qytet në 30 vjetët e fundit.