Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeMediat serbe: Vuçiq po e bën gati një dokument rreth Kosovës, do...

Mediat serbe: Vuçiq po e bën gati një dokument rreth Kosovës, do ia prezantojë deputetëve në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk i ka ftuar përfaqësuesit e partive në Kuvendin e Serbisë në konsultime për Marrëveshjen Evropiane për Kosovën, siç ka premtuar pas negociatave në Ohër.

Megjithatë, siç mëson Nova.rs, ai është duke përgatitur një dokument që duhet të jetë bazë për vazhdimin e negociatave mes Serbisë e Kosovës, me vija të kuqe të përcaktuara sa i përket hyrjes së Kosovës në OKB, të cilin do t’ua prezantojë deputetëve.

Ndonëse seanca e rregullt pranverore ka nisur një muaj më parë, seanca parlamentare ende nuk është caktuar.

Sipas informacioneve, plani është që të mbahet një seancë ku do të paraqitet Aleksandar Vuçiq dhe do ta “zbulojë” raportin për negociatat me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“Vuçiq duhet të vijë në Kuvend për të prezantuar atë që ka ndodhur në takimet me Kurtin dhe këtë ndoshta do ta bëjë vetëm pas përfundimit të këtij raundi të ri në Bruksel, i cili është planifikuar pas datës 20 prill”, thekson burimi i mediumit serb.

Sipas informacioneve, si pjesë e raportit për negociatat, ai do të prezantojë një dokument që duhet të jetë bazë për negociatat e mëtutjeshme me Kosovën.

Në atë dokument do të shprehet edhe qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Tani po mendojmë se si ta definojmë pjesën që i referohet OKB-së dhe vijave të kuqe, pa e interpretuar Brukseli si refuzim të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes”, thotë bashkëbiseduesi i Nova.rs.

Kujtojmë se pika më e diskutueshme për Serbinë është pika e marrëveshjes nga Brukseli, ku thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ku përfshihet edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Vuçiq ka thënë në disa raste se kjo është një vijë e kuqe për Serbinë dhe se këtë e ka thënë edhe me rastin e pranimit të marrëveshjes në Bruksel.

Presidenti i Serbisë deklaroi se po mendon të përgatisë një akt lidhur me këtë gjatë fjalimit të tij para gazetarëve, pas pranimit të aneksit të marrëveshjes në Ohër.

“Ne nuk do të zbatojmë asgjë në lidhje me Kosovën në OKB dhe as ndonjë njohje de facto dhe de jure. Madje po mendoj se duhet të kalojmë në Kuvend me një akt të përgjithshëm për ta bërë të qartë”, tha Vuçiq më 19 mars.

Ndërkaq, negociatorët në nivel teknik, Petar Petkoviq dhe Besnik Bislimi, janë pajtuar për tekstin e deklaratës për të zhdukurit, e cila duhet të miratohet në takimin e ardhshëm të Aleksandër Vuçiqit dhe Albin Kurtit. Është raportuar se takimi do të mbahet pas datës 20 prill.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments