Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka reaguar pas deklaratës së Ambasadorit gjerman, Jorn Rohde rreth përplasjeve të sotme në Kuvend në mes të deputetëtve të PDK-së dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosjes.
Musliu-Shoshi përmes një postimi në Facebook tha se është normale që ambasadori gjerman i del në mbrojtje qytetares së Gjermanisë, duke folur për ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Normal qe i del ne mbrojtje Ambasadori Gjerman qytetares se Gjermanise – sepse ate detyre e ka.Ceshtja eshte – kush po u del ne mbrojtje qytetareve te Kosoves”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Ambasadori gjerman përmes një cicërime në Twitter i ka dalë në mbrojtje ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, duke i konsideruar të papranueshme sulmet ndaj saj.
“Skenat e sotme në Kuvend ishin të papranueshme për një Parlament. Unë gjithashtu i konsideroj të papranueshme sulmet personale kundër ministres Gërvalla”, ka shkruar Rohde në Twitter.