Avokati Dastid Pallaska në emisionin Pressing të T7, ka thënë se mendimi i ndarë i gjyqtarit Kai Ambos është shumë shpresëdhënës për mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Sipas gjyqtarit Kai Ambos, nëse të akuzuarit marrin pëlqimin e një shteti të tretë dhe garantojnë se të akuzuarit do të mbrohen në liri, atëherë ka mundësi që Thaçit t’i pranohet kërkesa për lirim të përkohshëm dhe të mbrohen në liri.
“Mendimi i ndarë i gjyqtarit Ambos është shpresëdhënës, na ka dhënë diçka për të bërë, jemi duke u marrë me të dhe kurdo që të jemi të gatshëm për ta materializuar mundësinë e dhënë, këtë do ta bëjmë, së pari do ta bëjmë në gjykatë, pastaj do ta shpalosim për opinionin publik”, është shprehur Pallaska.
Tutje, Pallaska tha se një nga arsyet pse sot Thaçi është në paraburgim është për shkak të ekzistimit të mundësisë që ish-presidenti të pengojë administrimin e drejtësisë.
“Një prej pretendimeve të qëndrimit të Thaçit në paraburgim është edhe ekzistimi i mundësisë që mund të pengojë administrimin e drejtësisë duke ndikuar në dëshmitarë, apo në mënyra tjera”, ka thënë Pallaska.
“Paneli i Apelit e ka kritikuar atë që e quajnë arsyetime të cunguara, të shkurtra, për çështje të tilla jashtëzakonisht me rëndësi”, shtoi Pallaska.