Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar opinionin publik se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar sot një serb.
Mediat kanë raportuar se bëhet fjalë për serbin Zlatan Arsiq, 45 vjeçar, nga fshati Hajnoc i Kamenicës.
Arsiq u arrestua në pikën kufitare Dheu i Bardhë.
Për çka dyshohet Arsiq?
Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se Zlatan Arsiq dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.
Po ashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ia ka vënë zjarrin, si dhe ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.
Menjëherë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës, sot ka arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë gjatë vitit 1999, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës, ka arrestuar sot të pandehurin me inicialet Z.A., nacionalitetit serb, i cili dyshohet se kishte torturuar për një ore e gjysmë një person në vitin 1999 në Kamenicë.
Serbi i arrestuar gjithashtu dyshohet se hjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë.
Lidhur më këtë arrestim, ministri Sveçla ka thënë se “krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim”.
“Drejtësia për secilin akt çnjerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme”, ka shkruar Sveçla, në një postim në Facebook.
“Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marr pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës”.
Më tej, Sveçla ka thënë se “Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht”.
“Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, ka shkruar ai.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë