Dhuna në familje vazhdon të mbetet fenomen shqetësues në vendin tonë. E më së shumti që e pësojnë janë gjinia femërore. Këtë e tregojnë edhe raportet e Policisë së Kosovës.
Vetëm gjatë muajit janar të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 216 raste.
Nga këto raste, janë shënuar 231 viktima, ku 177 prej tyre janë të gjinisë femërore ndërsa 54 të gjinisë mashkullore.
Siç konfirmojnë nga PK për Indeksonline, 107 persona janë dërguar në ndalim për 48 orë.
Se ka rritje të rasteve të dhunës në familje, ka konfirmuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se dhuna në familje dhe ndaj grave ashtu sikur në gjithë botën edhe në Kosovë është alarmante dhe duhet të trajtohet me emergjencë.
“Jemi dëshmitarë që dhuna përfundon edhe me fatalitet. Përkrahja kërkon qasje dhe bashkëveprim multi-sektorial që fuqizojnë viktimat që mos të përjetojnë asnjë lloj dhune. Raporti një vjeçar për vitin 2022 ka identifikuar intervenimet e suksesshme si dhe ato që po çalojnë’’, tha Haxhiu në konferencën “Ndalja e ciklit të dhunës – programet për kryerësit e dhunës në familje”, organizuar nga Këshilli i Evropës, në Prishtinë.
Gjatë një vizite në Komunën e Gjakovës, Haxhiu tha se rastet e dhunës në familje të raportuara janë në numër të vogël, në raport me dhunën reale që ndodhë e që nuk raportohet.
“Prandaj, duhet një sensibilizim i opinionit së pari për t’i inkurajuar viktimat që mos të durojnë për rastet e dhunës psikike, seksuale, fizike e materiale sikurse edhe një veprim serioz institucional nga policia, prokuroria dhe gjykatat. Sepse, viktima kur sheh se po dështon ky zinxhirë dekurajohet dhe nuk e raporton dhunën”, tha Haxhiu.
Në përpjekje për të luftuar këtë problem, autoritetet dhe organizatat kanë bërë përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndalimin e dhunës në familje. Megjithatë, ende ka shumë punë për të bërë në luftën kundër këtij problemi të rëndë në shoqërinë kosovare./