Paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 14 për qind nga 1 prilli, ka ngjallur pakënaqësi te qytetarët e vendit. Sipas tyre, shtrenjtimi i energjisë elektrike është i papërballueshëm, sidomos kur vendi ballafaqohet me inflacion.
Kështu për qytetarin Muhamet Rraci, tarifat e reja të rrymës do të vështirësojnë jetën e shumë qytetarëve në Kosovë.
“Dihet ajo punë. Qytetarët nuk janë të kënaqur me këtë, janë të lodhur, po shihet. Edhe rrogat nuk janë rritur, s’ka pasur rritje as për pensionet, sidomos për ta është fatkeqësi e madhe. Këta janë baballarët e këtyre që janë në funksione. Janë djemtë e tyre. Duhet pak të kenë një dinjitet… kanë mbetur pa dinjitet, po shihet veç të shkojmë tek mjeku se sa bëhen barnat, 100 euro nuk mundet t’i mbulojë… Për neve është e papërballueshme. Fatkeqësisht më e papërballueshme është për ata që varen vetëm nga këto të ardhura… Unë e kam vajzën, më ndihmon, por ka prej atyre që jetojnë mjerisht, që nuk ka se kush t’iu hap derën, askush nuk e ndihmon, prandaj mbetën nën mëshirën e institucioneve tona… Qytetarëve u ka mbetur vetëm fjala, nuk i ka mbetur asgjë. Ne vetëm po i japim këto përshtypjet tona, ‘hallet dhe dertet’, por nuk po munden të ndikojnë asgjë”, thotë ai.
Të njëjtin mendim ndan edhe Kadri Sokoli. Sipas tij, me ngritjen e çmimeve në përgjithësi, dhe të rrymës në veçanti, qytetarët vështirë që do t’ia dalin mbanë.
“Jo mirë, sepse me këto kushte dhe me këto të ardhura që i ka Kosova vështirë se do ia dalin qytetarët. Më së shumti dëmtohen qytetarët e thjeshtë… Duhet t’i ndihmojnë qytetarët me subvencione dhe me diçka në këtë kohë të dimrit dhe jo me këto rritje të çmimeve, edhe të rrymës… Në krahasim me të ardhura dhe me standardet të Kosovës kjo është e tepërt”, thotë Sokoli.
I brengosur me krejt këtë situatë marrë parasysh edhe papunësinë në vend. shprehet qytetari Nazmi Topanica.
Sipas tij, njerëzit janë lodhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve.
“Duhet të merren masa, sepse popullata është lodhur. Është e tmerrshme kjo. Shpenzime ka shumë të mëdha dhe duhet të merren hapa më konkret. Kjo po më duket e palogjikshme… Është shumë e papërballueshme… Popullata janë lodhur dhe pjesa dërrmuese është e papunë, kjo është e tmerrshme”, thotë ai.
Sipas qytetarit Ilir Loxha, e vetmja zgjidhje për ta mbetet kursimi, porse siç thotë ai, është Qeveria që duhet të jetë pranë tyre.
E në rast të shtrenjtimit të rrymës siç është paralajmëruar, ai thotë se Qeveria duhet të mbulojë koston shtesë prej 14 për qind.
“Keq është për Kosovën, si vend çfarë janë të ardhurat e vogla. Mirë është edhe të kursejmë… Le t’i ndërrojnë ato pajisjet që i përdorin, ndoshta ju vjen si njëjtë (fatura). Keq është, ka mundësi mos me e rrit dhe Qeveria t’i mbulojë ato 14 për qind… Hiç s’është dashur me pasur rritje, por prapë më mirë tash që nxehet koha sesa me i ngritë dimrit”, theksoi Loxha.
Nga 1 prilli pritet të shtrenjtohen tarifat e energjisë elektrike për 14 për qind. Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress para disa ditësh kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, i cili ka theksuar se shqyrtimi i jashtëzakonshëm i raportit konsultativ ende nuk është final.
Për paralajmërimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike ka reaguar ditë me parë edhe KMDLNJ. Kujtojmë që, shtrenjtim të energjisë elektrike ka pasur edhe në shkurt të vitit të kaluar, me një vendim të ZRrE-së.