Monday, November 25, 2024
HomeLajmeSi reaguan pesë vendet e BE’së që s’e njohin Kosovën për “marrëveshjen”...

Si reaguan pesë vendet e BE’së që s’e njohin Kosovën për “marrëveshjen” e Brukselit

Rruga integruese e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e lidhur ngushtë me qëndrimin e pesë shteteve anëtare të BE-së të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Të gjitha këto shtete e kanë konfirmuar zyrtarisht se qëndrimi i tyre varet në masë të madhe nga arritja e një marrëveshje për normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë ende s’ka ndonjë ndryshim të ndjeshëm të qëndrimeve edhe përkundër faktit se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për propozimin frako-gjerman në takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro duket se po e presin takimin e 18 marsit në Ohër ku edhe pritet që të arrihet një marrëveshje.

Por çfarë kanë thënë deri tani shtetet mosnjohëse pas pajtimit në Bruksel për planin franko-gjerman.

Spanja ka ripërsëritur qëndrimin e saj për mos-njohjen e Kosovës si shtet, derisa ka bërë thirrje që palët ta shfrytëzojnë momentumin për arritjen e një marrëveshjeje.

“Spanja mban qëndrimin e saj për mosnjohje të deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008”, kanë thënë për Express nga Madridi zyrtar.

Edhe Sllovakia pret arritjen e marrëveshjes për të treguar më pas se si do të pozicionohet për çështjen e pavarësisë së Kosovës.

“Rezultati i takimit të fundit në dialog është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo mund të jetë një shtysë për negociata të mëtejshme që çojnë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre”, kanë thënë për Express nga MPJ sllovake.

Qëndrim të njëjtë si Spanja dhe Sllovakia ka edhe Rumania. Bukureshti zyrtar ka vlerësuar përparimin që është bërë nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel, megjithatë ripërsëritin faktin se Rumania vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur.

“Siç mund ta dini, Rumania nuk e ka njohur deklarimin e njëanshëm të pavarësisë së Kosovës dhe qëndrimi ynë mbetet i njëjtë. Sidoqoftë, pa paragjykuar qëndrimin tonë kombëtar mbi statusin e Kosovës, Rumania ka pasur qasje konstruktive, duke përfshirë marrëveshjet mbi bashkëpunimin rajonal, nënshkrimin e ASA, liberalizimin e vizave apo çështje të tjera”, kanë thënë për Express nga MPJ e Rumanisë.

Nga Greqia ka pasur sinjale pozitive pas arritjes së pajtimit të 27 shkurtit në Bruksel për planin franko-gjerman. Ish-kryediplomati grek, George Papandreou ka thënë se progresi i bërë në kuadër të dialogut është një zhvillim pozitiv për ndërtimin e besimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Marrëveshja e përkrahur nga BE-ja për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë për paqe dhe siguri dhe do të jap një shtysë të re për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, ka shkruar ai.

Pas asaj që ka ndodhur në Bruksel më 27 shkurt, numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Athinë ku është takuar me kryediplomatin grek, Nikos Dendias.

“E njoftova ministrin Dendias për zhvillimet në rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese evropiane dhe hapat e ndërmarrë si dhe procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel”, ka shkruar Bislimi në twitter.

Nga Qipro nuk ka pasur ndonjë reagim, por për qëndrimin e këtij shteti ka komentuar Zëvendëskryeministri Bislimi i cili në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” ka kërkuar që ky shtet të heq dorë nga paralelet me Kosovën.

Bislimi ka deklaruar se është në interesin e Qipros që t’i shmangë paralelet me rastin e Kosovës.

“Është në interesin e Qipros që të bëjë sa më shumë që të jetë e mundur për të shmangur këto paralele”, ka thënë zëvendësi i Kurtit.

Kosova dhe Serbia në takimin e fundit në Bruksel të mbajtur më 27 shkurt janë pajtuar për planin franko-gjerman. Megjithatë diskutimet shtesë kanë qenë të nevojshme meqë Kurti dhe Vuçiq s’janë pajtuar për Aneksin e Implementimit. Kësaj i shtohet edhe ngërçi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje të cilën ndërkombëtarët po e kërkojnë me ngulm.

Për këto çështje që kanë mbetur të hapura, në Prishtinë dhe Beograd do të qëndrojë për vizitë emisari i BE-së, Miroslav Lajcak. Sllovaku pritet që të premten të zbarkojë në Prishtinë për të diskutuar rreth Aneksit të Implementimit. Në një bisedë për Atlantic Council, Lajcak ka treguar se iu ka kërkuar Kurtit dhe Vuçiqit të përgatisin nga një propozim realist për Aneksin, bazuar në dokumentin që BE-ja ua kishte dhënë në muajin dhjetor, meqë kjo do të jetë edhe ajo për çfarë do të diskutojnë në takimet që do të kenë.

Takimi final do të mbahet më 18 mars në Ohër e ku pritet që të arrihet një marrëveshje bazuar në planin franko-gjerman. Megjithatë mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë t’i tejkalojnë mospajtimet për Aneksin e Implementimit dhe për Asociacionin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments