Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeAutonomi apo qeverisje e nivelit lokal – Çfarë është Asociacioni i komunave...

Autonomi apo qeverisje e nivelit lokal – Çfarë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Neni 7 i Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, i cili flet për një “nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, nënkupton “pushtet të ndërmjetëm ose përkufizim të ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Sipas tij, vetëqeverisja për komunitetin serb në Kosovë, që përmendet në marrëveshje, “nuk është as në nivel të Republikës e as në nivel lokal”.

Një nivel i tillë i qeverisjes, shton ai, do të ishte i mundur me ndryshimin ose plotësimin e ligjeve të caktuara.

Për Marrëveshjen drejt normalizimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan më 27 shkurt, në një takim në Bruksel.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se fjala “vetëmenaxhim” në këtë marrëveshje mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por se ai, personalisht, beson se ka të bëjë me dhënien e autonomisë territoriale për serbët në veri.

“Kur thuhet vetëmenaxhim, dihet se çfarë do të thotë, formohet shtet në shtet”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë i parapriu Marrëveshjes drejt normalizimit?

Marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar në vitin 2013. Gjashtë pikat e para të saj i referohen formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Çështja e këtij asociacioni ka vite që e ka penguar përparimin drejt normalizimit, sepse Kosova refuzon ta formojë atë, me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e saj.

Po ashtu ka frikë se formimi i Asociacionit mund të çojë në “bosnjëzimin” e Kosovës, përkatësisht krijimin e një entiteti të ngjashëm me Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, e cila ka kompetenca ekzekutive.

Në anën tjetër, Beogradi zyrtar këmbëngul në formimin e Asociacionit, duke thënë se ai do të përfaqësojë një organizatë ombrellë për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare, gjithashtu, kërkon nga Kosova që ta formojë Asociacionin. Trysnia është rritur gjatë vitit të fundit, kur në veri të Kosovës – ku popullata shumicë është serbe – situata është përshkallëzuar disa herë, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për ta shtrirë pushtetin në atë pjesë.

Pasojë e këtyre trazirave ishtetërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, të cilët e kanë kushtëzuar kthimin e tyre me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Autoriteteve në Prishtinë dhe në Beograd, ndërkohë, u është paraqitur një plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin palët e kanë pranuar në parim.

Plani, i cili më pas është titulluar Plani Evropian – Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi, kërkon mes tjerash që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova të pranojë një aranzhim të posaçëm për komunitetin serb.

Çfarë thotë Neni 7?

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

A i referohet Neni 7 formimit të Asociacionit?

Në Nenin 10 të Marrëveshjes drejt normalizimit thuhet se “palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme në dialog, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.

Në praktikë, kjo do të thotë se duhet të formohet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

REL-i pyeti Qeverinë e Kosovës nëse Neni 7 i ofron garanci shtesë komunitetit serb, apo nëse i referohet ushtrimit të të drejtave të serbëve në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një konferencë virtuale me gazetarë, më 28 shkurt, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet dhe se ai duhet të përfaqësojë “një nivel të vetëmenaxhimit, që nuk do të ndërhyjë në rendin kushtetues të Kosovës, në strukturën juridike dhe as funksionalitetin e Kosovës”.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha Radio-Televizionit të Serbisë më 28 shkurt se në udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes, nuk është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse Kurti nuk e ka pranuar.

Ai, po ashtu, tha se Kurti nuk do ta formojë së shpejti Asociacionin, por se “për një, dy apo gjashtë muaj, dikush duhet ta formojë atë”.

Sipas tij, rëndësia e formimit të Asociacionit është e madhe, sepse përfshin edhe mbështetjen financiare të Serbisë.

Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, institucionet funksionojnë sipas sistemit serb dhe në to është i punësuar një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb, që marrin paga nga buxheti i Serbisë.

Një përkufizim i ri i Asociacionit apo të drejta shtesë?

Profesori Kadri Kryeziu thotë se Neni 7 i Marrëveshjes drejt normalizimit i referohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe pse nuk përmendet në mënyrë specifike.

“Ky është përkufizimi i Asociacionit, por

[emri]

nuk shihet, e shohim vetëm ne ekspertët, jo njerëzit e zakonshëm”, thotë Kryeziu.

Ai thotë se Kosova duhet t’i ofrojë të drejta shtesë komunitetit serb, sepse nga kjo varet marrëdhënia me Beogradin zyrtar dhe vetë normalizimi i marrëdhënieve.

“Në këtë mënyrë do të hiqen pengesat për integrimin evropian dhe për përfshirjen e Kosovës në NATO”, thotë Kryeziu.

Baraliu thotë se Kosova nuk është dashur ta pranojë marrëveshjen, pikërisht për shkak të Nenit 7, sepse beson se ai do t’i sigurojë autonomi komunitetit serb në veri.

“Synohet që përveç Asociacionit të ketë edhe vetadministrim territorial në nivelin më të lartë. Dokumenti është i papranueshëm për këdo që e di se çfarë do të thotë shteti dhe për këdo që dëshiron ta ruajë shtetin”, thotë Baraliu.

Problemi kryesor për formimin e Asociacionit lidhet me kompetencat e tij.

Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e Asociacionit nuk janë në përputhje me 23 nene të Kushtetutës, që kryesisht kanë të bëjnë me barazinë para ligjit, të drejtat dhe liritë themelore dhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe pjesëtarëve të tyre.

Kurti, duke iu referuar këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ka përsëritur vazhdimisht se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Të drejtat aktuale të serbëve në Kosovë

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë gëzojnë të drejtat e përcaktuara me Planin e Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës dhe është hartuar Kushtetuta e Kosovës.

Mes tjerash, ata kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës, një ulëse ministrore në Qeveri dhe së paku dy zëvendësministra.

Gjuha serbe, ashtu sikurse shqipja, është në përdorim zyrtar në gjithë territorin e Kosovës.

Komunitetet joshumicë, përfshirë serbët, kanë të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre amtare. Megjithatë, serbët në Kosovë ndjekin mësimet sipas plan-programit të Serbisë në të gjitha nivelet.

Në Kosovë ekziston Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili synon të sigurojë mbrojtjen e manastireve, kishave dhe objekteve të tjera fetare ortodokse serbe, si dhe të vendeve historike dhe kulturore, që kanë një rëndësi të veçantë për komunitetin serb të Kosovës.

Me këtë ligj, në Zonat e Veçanta të Mbrojtura ndalohet ndërtimi ose zhvillimi industrial, ndërtimi i digave, termocentraleve, rrugëve transitore e kështu me radhë./REL/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments