Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeMbështetje në NATO, KiE dhe dialog, çfarë mesazhe dha dje Erdogan për...

Mbështetje në NATO, KiE dhe dialog, çfarë mesazhe dha dje Erdogan për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti dje ishte mysafir në Pallatin Vahdettin në Stamboll ku u prit nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ky i fundit tha se vendi i tij është i gatshëm t’i japë mbështetje procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për paqen rajonale, nëse kjo gjë kërkohet.

“Turqia është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të japë kontributin e nevojshëm nëse kërkohet nga palët”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Kurti.

“Ne shpresojmë se procesi i dialogut me Serbinë do të rezultojë në një mënyrë që siguron paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”.

Ai tha se Turqia ka vazhduar përpjekjet e përbashkëta për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin që meriton në arenën ndërkombëtare.

“Në këtë drejtim, ne mbështesim vizionin e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, Këshillin e Europës dhe BE”.

Përveç politikës, Kurti me Erdoganin folën edhe për fushën e ekonomisë, tregtisë, energjisë, industrisë së mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit.

Erdogan tha se me marrëveshjen e tregtisë së lirë që hyri në fuqi në vitin 2019, të dy vendet arritën një momentum pozitiv në vëllimin e tregtisë dypalëshe.

“Si vendi me eksportet më të larta në Kosovë, ne duhet ta rrisim këtë shifër në 1 miliard euro”, tha Erdogan.

Ndërkaq, Kurti u tregua më kërkues nga Turqia në raport me këtë çështje.

Turqia është një nga partnerët tanë të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë. Natyrisht, kjo na gëzon, por kjo nuk duhet të jetë e mjaftueshme. Ne mund ta shfrytëzojmë bashkëpunimin tonë aktual për të arritur potenciale më të larta”.

Erdogan përmendi edhe temën e gylenistëve, duke i kërkuar Kurtit që të shtojë përpjekjet në këtë drejtim. Kurti nuk ka bërë ndonjë deklaratë rreth kësaj teme para Presidentit turk. Por, kur kishte ndodhur deportimi i shtetasve turq nga Kosova më 2018, Kurti ishte treguar i zëshëm duke kërkuar përgjegjësi dhe që të bëhen të ditur urdhërdhënësit.

“I kërkova mikut tim të dashur që të bëjë përpjekje shtesë për të rritur solidaritetin tonë kundër aktiviteteve të Organizatës Terroriste FETO në Kosovë”.

Kurti ka falënderuar Erdoganin për kontributin e Turqisë dhe rolin e saj në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

“Kjo ndërhyrje ndaloi gjenocidin ndaj popullit të Kosovës dhe ishte e rëndësishme për themelimin e vendit dhe ruajtjen e paqes”, tha ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments