Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se subjekti i tij do të bojkotojë televizionin publik pas emërimit të Rilind Gërvallës në krye të Bordit të RTK-së. Gërvalla ka pasur lidhje të ngushta me partinë në pushtet, VV-në, në të kaluarën dhe emërimi i tij ka nxitur reagime si nga opozita, ashtu edhe nga shoqëria civile.
Abdixhiku në emisionin Pressing në T7 ka thënë se subjekti i tij do ta bojkotojë RTK-në dhe se do të ankohet në ambasadat e huaja dhe organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në Kosovë rreth emërimeve në radiotelevizionin publik.
“Kemi një militant partiak, ideologjikisht i ngarkuar shumë që vihet në krye të televizionit publik dhe askush nuk thotë asgjë. Nuk mund të qëndrojmë pa bërë asgjë. LDK do ta bojkotojë këtë televizion. Do të marrim vendim së bashku me deputetët e me Kryesinë që të bojkotojmë këtë televizion. I ftoj partitë opozitare dhe shoqëritë civile që të na bashkohen. Do ia lëmë televizionin publik pushtetit. Dhe do u shkruaj secilit ambasador në Kosovë e të gjithë organizata ndërkombëtare që ky televizion është i pushtetit. Nuk kemi bërë tërë këtë angazhim që sa vite për këtë gjë. Nuk mund të kapet një institucion publik nga pushteti”, tha ai.
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka zgjedhur të martën aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje Rilind Gërvallën drejtor të RTK-së për kanalet shqip (1,3 dhe 4).
Gërvalla ka foto brenda zyreve të VV-së së bashku me aktivistë të këtij subjekti dhe ka marrë pjesë edhe në mbledhje brenda kësaj partie që është në pushtet.
Emërimi i tij ka ngjalluar reagime nga i gjithë spektri opozitar. /Gazeta Express/