Një ditë pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës drejtor të programit shqip në RTK, Partia Socialdemokrate ka bërë një aksion gjatë edicionit qendror të lajmeve.
Aktivistë të partisë janë futur brenda studios ku po jepeshin lajmet drejtpërdrejtë me një pankartë, ku shkruhej “Radio Televizioni i Kurtit”.
Zyrtari i PSD’së Nol Nushi, ka folur rreth aksionit të sotëm ai në Prime Time ka thënë se brenda studios së RTK-së ka hyrë pa i penguar askush madje nga hyrja kryesore.
“Televizioni është publik, ne aty kemi hy vazhdimisht si mysafir, e të ftuar e kështu me radhë. Edhe sot hymë andej ka hyhet nga hyrja kryesore e drejt te studio e lajmeve. Nuk u penguam nga askush, madje u përshëndeta me njerëzit që u takova rrugës dhe vazhdova. Ajo është hapësirë publike dhe e tillë duhet të jetë, nuk duhet të bie pre e këtij pushteti që po tenton të kap çdo institucion dhe t’i shtrij rrënjët e propagandës gjithandej.
“Në atë studio kam qenë edhe më herët e dita ku është, kam hy pa asnjë problem, RTK-ja i ka kamerat e sigurisë dhe s’mund të pretendoj që kam hy në mënyrë të dhunshme, kam hy nga hyrja kryesore”, ka thënë Nushi.
Tutje, Nushi ka folur për udhëheqësit e RTK-së, duke aluduar në kapjen e televizionit publik nga pushteti”
Kurse menaxhmenti i RTK-së ka dënuar aktin e aktivistit të PSD-së Nol Nushi, i cili pa autorizim ka hyrë në studion e lajmeve të RTK-së, duke kaluar sigurimin, të cilët kanë menduar se i njëjti mund të ketë qenë i ftuar në emisionet e RTK-së.
Këtë veprim ata e kanë cilësuar të papranueshëm dhe se përçon mesazh të kundërt me vlerat që prezanton transmetuesi publik.