Monday, November 25, 2024
HomeBotaPezullim i patentave për vaksinat

Pezullim i patentave për vaksinat

Më shumë se 100 anëtarë të Organizatës Botërore të Tregtisë kërkojnë të pezullohet përkohësisht mbrojtja e patentave të vaksinës kundër Coronës. SHBA është gati ta mbështesë iniciativën, BE është e hapur për bisedime.

 

Në luftën botërore kundër pandemisë, qeveria e SHBA-së është shprehur për një pezullim të përkohshëm të mbrojtjes së patentave për vaksinat. “Kjo është një krizë botërore shëndetësore dhe rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë së COVID-19 kërkojnë masa të jashtëzakonshme”, argumentoi e ngarkuara e SHBA për Tregtinë, Katherine Tai ndërrimin e kursit të qeverisë amerikane.

Deri më tani vende të rëndësishme prodhuese farmaceutike si SHBA e bllokojnë iniciativën e Afrikës së Jugut dhe Indisë.

 

Qeveria amerikane beson fort në mbrojtjen e pasurisë intelektuale, por ajo do të angazhohet tek Organizata Botërore e Tregtisë për një rregullore përjashtuese tek vaksinat kundër Coronës, “për t’i dhënë fund kësaj pandemie”. Në deklaratën e Tai theksohet, se “synimi i SHBA është që të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur sa më shumë njerëz me vaksina të sigurta dhe të efektshme”. E ngarkuara e SHBA për Tregtinë, po ashtu kujtoi, se bisedimet me OBT mund të zgjasin, deri sa të gjendet një “konsensus”.

Vendim historik

Drejtori i Organizatës Botërore të Tregtisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e vlerësoi këtë deklaratë të SHBA si “vendim historik” dhe shembull impresionues për rolin lider të SHBA në çështjet globale të shëndetit. Organizata Transpareny International shkroi në twitter se presidenti, Joe Biden me këtë ka bërë të qartë, se “SHBA vendosin jetën e njerëzve mbi koncernet farmaceutike”.

Ndërkohë edhe Bashkimi Europian tregohet i hapur për bisedimet e pezullimit të patentave për vaksinat. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u shpreh, se do të diskutojmë çdo propozim “që vepron kundër kësaj krize me efekt dhe në mënyrë pragmatike.” Duhet të shohim se si i shërben këtij qëllimi propozimi amerikan. “Në plan afatshkurtër u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që prodhojnë vaksinat të lejojnë eksportet dhe të bëjnë gjithçka që të mos pengohen zinxhirët e furnizimit.”

 

Ursula von der Leyen e bëri të qartë rolin e BE. “Për ta thënë qartë, Europa është rajoni i vetëm demokratik i botës që lejon eksporte në masë të madhe.” Deri më tani nga BE janë eksportuar 200 milionë doza të vaksinës kundër Coronës. Kjo është gati po ajo sasi që është dhënë për vaksina në BE.

Industria farmaceutike ka argumentuar deri më tani, se pezullimi i patentave nuk sjell automatikisht më shumë vaksina. Sepse një sërë prodhues të kualifikuar janë përfshirë ndërkohë në prodhim me liçenca përkatëse. Përveç kësaj prodhimi i vaksinës mARN është shumë i komplikuar. Planet e SHBA nuk jaë pritur mirë në bursë. Kurset e aksioneve të prodhuesve të vaksinës BioNTech, Moderna dhe Novavax kanë pësuar humbje të ndjeshme./DW

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments