Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKurtit i troket në dyer Asociacioni

Kurtit i troket në dyer Asociacioni

Miroslav Lajçak paralajmëroi të enjten që shkoi se në fillim të javës do të jetë në rajon për të diskutuar për planin “franko -gjerman” dhe komentet që i kanë bërë rreth tij palët. Si për t’ia ndrequr terrenin dy diplomatë amerikanë u kujdesën që të çojnë porosi se tani e ka radhën Asociacioni. Ambasadori amerikan në Serbi Chris Hill tha se Kurti e ka të qartë se pa u zgjidhur të drejtat kolektive të komunitetit serb s’ka asnjë marrëveshje. Ndërsa Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit Gabriel Escobar ishte më i prerë – tha se Asociacioni  “duhet të zbatohet dhe do të zbatohet”.

Emisari i BE-së për bisedimet Kosovë -Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak, sot në Beograd duhet ta modifikojë pak atë që e kishte në mendje ta diskutojë me zyrtarët e lartë të Kosovës e Serbisë kur të enjten paralajmëroi vizitën në rajon.

Lajçak tha se do të vinte për të folur rreth planit ‘franko-gjerman’ dhe komenteve që i kishin çuar palët duke e paralajmëruar edhe një hap rreth diskutimit të temave të mëdha, por në fundjavë doli diçka e papritur. Vuçiq u bë se u hidhërua fort nga emërimi i Nenad Rashiq si Ministër për Kthim e Komunitete sa që tha se nuk do të shkojë në Tiranë në Samitin BE -Ballkani Perëndimor. Me këtë rast Vuçiq përdori gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Kurti duke e quajtur ‘llum terrorist”.

Pastaj, në mediat e tij, tha se vendimi se a do të shkojë në Tiranë a jo, do të merret pasi të takojë Lajçakun.

Por, nëse palët arrijnë ta tejkalojnë “çështjen Rashiq” dhe të lëvizin nga, siç tha Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell, “menaxhimi permanent i krizave”,  rreth agjendës së dialogut nuk ka shumë dilema.

Lajçak tha se kjo temë duhet të adresohet sa më shpejt. Këtu Kurti si duket ka një avantazh pasi europianët janë në një linjë me të se Asociacioni duhet të jetë pjesë e paketës e jo si parakusht për bisedime të mëtejme, siç insiston pala serbe.

“Është një përkushtim i hershëm për Kosovën, është pajtuar që në vitin 2013. Duhet të adresohet në përputhje me këtë përkushtim. Pozicioni i Serbisë tani për tani është se duhet të krijohet si një parakusht për vazhdimin e procesit. Pozicioni ynë, i BE-së, është se duhet të jetë pjesë e paketës dhe se do të ishte mirë të adresohet sa më shpejt dhe gjithsesi se nuk mund të kushtëzohet nga asgjë tjetër sepse ky është një përkushtim tashmë ekzistues”, ka thënë Lajçak.

Amerikanët duken më të prerë. Ambasadori i SHBA’së në Beograd Christopher  Hill ka thënë se më nuk do të ketë asnjë marrëveshje pa u zgjidhur çështja e Asociacionit.

“Ai [Kurti] do të duhet të flasë me negociatorët në Europë dhe amerikanët. BE-ja i kanë thënë qartë se duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë. Jini të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejshme derisa ta zgjidhim këtë çështje”, ka thënë Hill.

Gjatë javës që shkoi për këtë temë me një gjuhë shumë precize foli edhe Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit Gabriel Escobar.

Gjatë një diskutimi në Atlantic Council, Escobar tha se Asociacioni duhet të përmbyllet në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për 70 mijë serbët në Veri.

“Duhet të zbatohet dhe do të zbatohet… Nëse nuk merremi me çështjen e ASK-së, 70.000 banorët që jetojnë në veri të Kosovës mund të jenë sfidë. Ata janë në qendër të tensioneve, konflikteve, konfrontimeve dhe ne duhet të gjejmë një zgjidhje për ta. Institucionet e Kosovës duhet t’u ofrojnë mbrojtje, por duhet t’u lejohet të marrin pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të Serbisë. Nëse nuk e zgjidhim këtë çështje, do të jemi në krizë të vazhdueshme”, thekso ai.

Ndryshe, Escobar deklaroi se skeleti i një marrëveshjeje Kosovë -Serbi mund të shihet në vitin e ardhshëm.

Duke e parë insistimin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve për këtë temë, Kryeministri Kurti në margjina të Samitit të Paqes në Paris, më 11 nëntor, dha shenja se është i hapur për bisedime me Serbinë për këtë çështje.

“Në këtë propozim, parashikohen gjithashtu edhe diskutimet rreth të drejtave të pakicave dhe në këtë pikë Beogradi mund të shprehë kërkesën e tij për temën që ata e quajnë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e cila është një formë për të adresuar çështjen e pakicës serbe”, theksoi Kurti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments