Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar pas takimit të Grupit ndërministror, i cili u mblodh pas vrasjes së gruas shtatzënë mbrëmë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë.
“Mbrëmë një grua bashkë me foshnjën e saj që priste ta sillte në jetë para objektit të Gjinekologjisë, ishte një rast i rëndë, i kobshëm, i trishtë. Na tregon se sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grash. Pesë ditë, dy jetë të humbura, dy gra të vrara nga bashkëshortet e tyre”.
“Kemi diskutuar për veprimet institucionale në raport me këtë rast, më lejoni t’iu njoftoj se sipas informacioneve të PK-së, viktima e kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë fizike dhe psiqike dhe prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegjësi institucionale, është një papërgjegjësi e prokurorit të rastit sepse ne vazhdimisht po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave. Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të jetë parandaluar. Kemi edhe disa informacione, të cilat nuk mund ti bëjë të ditura për shkak të hetimeve, uroj të më mirëkuptoni. Por iu garantoj, secili prej institucioneve, qoftë nga policia, qoftë nga MSH, qoftë nga qendrat për punë sociale janë të obliguar dhe kanë marrë përgjegjësi që të verifikojnë secilin veprim institucional”, tha ajo.