I dyti i komunës së Prishtinës bëri të ditur se me ‘eksperimentin’ e fundit të bërë javën e kaluar, ka përfunduar faza testuese e shndërrimit të unazës së brendshme të kryeqytetit në qarkullim njëkahor, pasi konsiderojnë se kanë të dhëna të mjaftueshme për të marrë vendimin final.
Zogaj bëri të ditur se janë në pritje të konkluzioneve nga ekipi i ekspertëve të komunikacionit rrugor të cilët kanë qenë në monitorim të situatës.
Ai shtoi se qëndrojnë prapa testimit, pavarësisht kritikave të shumta, pasi sipas tij, kthimi i unazës së brendshme në qarkullim njëkahor, do ta lehtësojë qarkullimin e qytetarëve të Prishtinës.
“Kësisoj ne konsiderojmë që më shumë qytetarë do ta përdorin trafikun urban. Tjetra është që një korsi të veçantë ia japim trafikut alternativ; pra biçikletave, trotineteve elektrikë e formave tjera të lëvizjes. Kurse, dy korsi të veçanta i lëmë për veturat dhe kësisoj katër korsi i kthejmë në njëkahëshe dhe qarkullimi do të jetë më i shpejtë”, u shpreh Zogaj.
Testimi i tretë ishte hera e parë që u bë në ditë pune, pasi dy herët e kaluara ishte bërë në fundjavë, shkaktoi kaos në trafik. Lidhur me këtë, Zogaj pranoi se komuna do të duhej të ishte më efikase në komunikim me qytetarët.
Mes tjerash, ai tha se brenda ditës në Prishtinë qarkullojnë rreth 200 mijë vetura, numër ky që sipas tij është shumë i lartë për infrastrukturën që ka kryeqyteti.
Parkingu nëntokësor në Prishtinë – Zogaj jep detajet e projektit dhe tregon sa do të jetë çmimorja
Parkingu nëntokësor te Fakulteti Filologjik në Prishtinë pritet të funksionalizohet këtë muaj, pasi punimet janë në përfundim.
Zogaj tha se aktualisht po punohet në pjesën e sipërfaqes së parkingut dhe janë duke u bërë mbjelljet e fundit, pasi kanë kërkuar më shumë gjelbërim.
“Pjesa e parkingut nëntokësor është pothuajse e përfunduar, ndërsa tani po punohet në pjesën e sipërfaqes sepse kryetari Rama e ka ndërruar tërësisht dizajnin e sipërfaqes. Kemi kërkuar të ketë më shumë gjelbërim ndaj tani janë duke u bërë mbjelljet e fundit dhe në fund të nëntorit konsideroj se do të hapet për qytetarët e Prishtinës”, u shpreh Zogaj.
Sa i përket çmimeve, tha se janë vendosur para nënshkrimit të kontratës mes komunës dhe kompanive private.
“Çmimorja është caktuar qysh përpara me kontratë dhe është e përafërt me çmimet që i kemi në Prishtina Parking. Në Prishtina Parking nëse parkoheni në qendër të Prishtinës, është një euro për orë dhe e keni të obliguar ta lironi parkingun pas dy orësh. Pra, nuk lejohet të qëndroni më gjatë. Prandaj, në një paralele është caktuar edhe ai çmim”.
Në hapësirën e parkingut nëntokësor Zogaj tha se janë rreth 600 vend parkingje, të cilat do të ua lehtësojnë punën qytetarëve.
“Parkingu ka hyrje dalje të veçanta, andaj është e menduar mirë nga inxhinierët dhe arkitektët në mënyrë që të mos krijohet kaos”.
Nënkryetari i kryeqytetit mes tjerash bëri të ditur se janë duke punuar në drejtim të zgjerimit të shesheve, deri te Katedralja dhe semaforët aktual. E kur ky projekt të përfundojë, tha se parkingu do të ketë dalje të veçantë, në mënyrë që të mos shkaktohet tollovi e veturave.
Rruga A në Prishtinë – deri në fund të vitit do të nënshkruhet kontrata, Zogaj: Projekt gjigant, do të jetë e gjatë 6 kilometra e gjerë 56 metra
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj po ashtu gjatë intervistës në “Përballje” ka thënë se deri në fund të vitit do të nënshkruhet kontrata për projektin e “Rrugës A”.
Zogaj është shprehur se pjesa e tenderuar është 1.5 kilometra nga gjithsej 6 kilometra.
“‘Rruga A’ është një prej prioriteteve tona të mëdha. Aktualisht e kemi në proces të prokurimit, pra ne besojmë se gjatë këtij viti do ta nënshkruajmë kontratën me operatorët privatë. Tani jemi në proces të vlerësimit, deri në fund të vitit e nënshkruajmë kontratën në mënyrë që në pranverë të vitit të ardhshëm të dalim në terren me punë”, tha Zogaj.
“Në total kjo rrugë është 6 kilometra, kurse ne e kemi tenderuar vetëm për 1.5 kilometra, pra pjesën e parë. ‘Rruga A’ është projekt gjigant, ku kilometri i kushton me miliona euro. Është një rrugë e gjerë 56 metra, e madhësisë së Rrugës B, pra është projekt kompleks, që do fokus të madh në çështjen e shpronësimeve”, shtoi ai.
I dyti i kryeqytetit ka folur për investimet kapitale dhe tepricën buxhetore të bartur për vitin e ardhshëm.
“Buxheti i vitit 2023 është 105 milionë euro ku prej tyre 40 milionë euro janë për investime kapitale, shto këtu edhe pjesën e bartjes, ku me gjasë do të bartet një pjesë nga viti 2022, andaj do të kemi edhe një fond më të madh për investimet kapitale. Jemi shumë të fokusuar drejt investimeve kapitale, ky është një prioritet i lartë i kësaj qeverisje. Andaj, fokusin e kemi në disa projekte të mëdha që i kemi pasur pjesë të kampanjës”, ka thënë Zogaj.
Sipas tij, problemi i bartjes së mjeteve është si rezultat i tri proceseve të komplikuara.
“Problemi i bartjes së mjeteve është si rezultat i tri proceseve të komplikuara. E para është se kemi problem me planifikimin, i bërë shpejtë e jo mirë. E e si rezultat mandej i jetë problemi fazës së dytë, prokurimit. Prokurimi vjen pas planifikimit. Nëse planifikimi nuk është i mirë atëherë edhe në prokurim kemi probleme të mëdha,…d.m.th, planifikim, prokurim e pastaj edhe në implementim”, theksoi ai.
Kyçja në Termokos, Zogaj: Po punohet intensivisht që të përfshihen edhe lagjet e reja
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka folur edhe për planifikimet rreth përfshirjes së lagjeve të reja në Termokos.
Zogaj ka thënë gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdohet me disa kompani për zgjerimin e ngrohjes nëpër lagje e rrugë të reja.
“Kemi kërkesa të jashtëzakonshme për kyçje në Ngrohtoren e Qytetit dhe me të drejtë. Qytetarët kërkojnë të kyçen se është efiçiente, e lirë për t’u paguar dhe e qëndrueshme”, tha Zogaj.
Sipas tij, në vitin 2023 do të vazhdohet me “Matin”, një pjesë e “Bregut të Diellit” dhe rrugën “Muharrem Fejza”.
“Prej vitit të ardhshëm do të vazhdojmë me disa kompani për zgjerim. Deri më tani Termokosi ka punuar me një kompani dhe kanë kryer zgjerim aq sa i kanë pasur kapacitetet”, është shprehur ai.
“E kemi thënë disa herë, do të vazhdojmë me ‘Matin’, një pjesë të ‘Bregut të Diellit’ dhe në pjesën e rrugës ‘Muharrem Fejza’. Vitin e ardhshëm do të jemi më agresiv.
Për ‘Banesat e Bardha’ e kemi dhënë një premtim.
Sivjet lidhet një pjesë e lagjeve të ‘Arbërisë’ dhe ‘Ulpianës’”, ka përfunduar Zogaj.
Po ashtu, ai në këtë intervistë ka folur edhe për ndërtimin e “Rrugës A”, projektin “Arkitekti i Qytetit” dhe projektet e ndërtimit të disa shkollave të reja në Prishtinë.