E moshuar dhe e vetme në ambientet e zymta të “Shtëpisë për të Moshuar” në qytetin e Pejës, në vend së të merrte pak ngrohtësi e kujdes, një qytetare e Kosovës u rrah me shuplaka nga Aurona Pelaj, infermiere.
Ajo pos faktit se ishte në moshë të shtyrë, vuante edhe nga sëmundja e Alzheimer-it, gjë që i jep karakter më monstruoz rastit.
Dhunë e kërcënime në vend empatie, duket se është ushtruar edhe përpara në këtë institucion, që për “përkujdesje” ndaj pleqve merr hiq më pak se 650 euro në muaj.
Në videon e publikuar infermierja e licencuar s’pushon së godituri, derisa e moshuara kërkon të ikën.
“Pak jam t’u ia hi, qysh di me sill unë, pak jam t’u ia hi”, inkurajohet dhunuesja tashmë e arrestuar nga policia e Kosovës për sulm fizik (pos saj, është arrestuar edhe një person tjetër – motra kujdestare në këtë institucion).
Derisa ajo godiste e disa vajza të tjera i buzëqeshin aktit monstruoz, njëra prej tyre thoshte nën gaz se po e xhirojnë rastin “për media”.
Prokuroria e Pejës ka konfirmuar se ka nisur hetimet lidhur me rastin.
“Me të marrë informacionin dhe me të parë videon prokuroria në Pejë ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe njësitë relevante, dhe janë duke shkuar në vendin ku po dyshohet se është kryer vepra penale”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Ndryshe, familja e viktimës gjatë ditës e kanë tërhequr atë nga shtëpia ku u keqtrajtua.
“Gjest i poshtër, i ulët e barbar”
Sjellja abuzuese, ndaj një të moshuare në Pejë e ka tronditur spektrin politik dhe opinion publik në Kosovë.
Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si “krim të dyfishtë” këtë rast.
“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë”, thuhet në reagim.
Akti i sotëm i dhunës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm.
“Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një reagimi në rrjetin e saj social në Facebook, theksoi se abuzimi në mënyrë çnjerëzore i së moshuarës, s’mund të jetë i vetmi rast.
“Prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen. Gjithashtu, menaxhmenti duhet të jap llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente”, ka shkruar Haxhiu.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar që të sillen para drejtësisë të gjithë personat e implikuar në këtë sulm.
“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje.
“Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ndërkaq, sipas kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Komuna e Pejës nuk menaxhon me asnjë institucion i cili ofron shërbime për kujdesin e të moshuarve.
“Ftoj publikisht inspektoratin e shëndetësisë dhe organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast”, ka shtuar ai.
Abuzimi dhe dhuna e ushtruar sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, është krim i rëndë i cili shpërfaq anën më të errët njerëzore dhe ngrit alarmin për mbikëqyre dhe kontroll strikt të këtyre institucioneve private.
“Përveç masave të marra tashmë nga Polica e Kosovës ndaj personave që ushtruan dhunë, duhet të inicohet hetim i menjëhershëm nga organet përgjegjëse për abuzimet tjera të mundshme që mund të kenë ndodhë në këtë shtëpi”, ka shkruar Kusari-Lila në rrjetin e saj social në Facebook.
“Veprimet e menjëhershme nga të gjitha institucionet e linjës janë të domosdoshme, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës në rishikimin e legjislacionit i cili rregullon veprimtarinë në fjalë”.
I shokuar e i tronditur ka mbetur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, pas rastit të dhunimit të moshuares në ambientet e Shtëpisë për të Moshuar në qytetin e Pejës, nga një punonjëse në këtë institucion.
Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, për Abdixhikun duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot.
“Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje – është përfundim i trishtë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin e tij social në Facebook.
Dhunuesja është kriminele
Për anëtaren e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku motra kujdestare e cila në mënyrë të pamëshirshme godet një të moshuare është kriminele.
“Nuk pata forcë me e shiku deri në fund videon në të cilën disa infermiere e sulmonin fizikisht dhe e maltretonin psiqikisht një grua të moshuar në Pejë”, ka shkruar Çitaku në rrjetin e saj social në Facebook.
“Emrat e tyre duhet të publikohen. Tu merret e drejta e punës në institucione shëndetësore, si dhe të ndiqen penalisht”, ka shtuar ajo.
E tmerruar nga ky akt barbar ka mbetur edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Ajo e mllefosur pasi ka parë pamjet që po qarkullon në medie, ka bërë thirrje organeve të rendit që të merren urgjentisht me rastin.
“Aty po aq fajtore janë ato tjerat që qeshin derisa kolegia e tyre është në aksion. Gjest i poshtër, i ulët dhe barabar”, ka shkruar Bajrami në rrjetin e saj social në Facebook.
Sipas saj të sëmurët mental nuk duhet të lejohen të shërbejnë/punojnë në asnjë institucion, qoftë ai privat apo publik.
“I kërkoj falje zonjës së moshuar që po jeton në këtë kohë të pakohë dhe i uroj rehabilitim sa më të shpejtë”, ka shtuar ajo.
Si të frikshme e të tmerrshme e ka cilësuar dhunën e shpërfaqur ndaj një gruaje në moshë deputetja tjetër e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
“Të gjitha vajzat qe ishin prezentë në momentet kur është ushtruar dhunë duhet të përgjigjen para drejtësisë. Institucionet të marrin masa për të vënë drejtësi ndaj këtij rasti të turpshëm”.
Sipas ligjit në Kosovë, sulmuesja e të moshuarës në Pejë mund të dënohet me veç 6 muaj burgim, ose me gjobë
Sipas ligjit aktual në Kosovë, përkundër dhunës dhe rrethanave ku është ushtruar ajo dhunë dhe ndaj kujt, ligji maksimalisht parasheh dënim deri në tri vjet – në rastin më të rëndë.
Anton Nrecaj – Këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, ka treguar klasifikimin e veprës dhe dënimin e paraparë me ligj.
“Fillimisht kualifikimi i veprës penale është i mangët, përpos veprës penale të sulmit është edhe vepra penale tjetër; abuzimi dhe keqtrajtimi i të moshuarve. Dënimi për secilën vepër penale është nga ajo shqiptimi i gjobës deri ai me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet burgim”, pohon Nrecaj.
Por, tashmë vepra është kualifikuar dhe sipas prokurorisë, në këtë situatë të dhunimit të moshuarës “kemi të bëjmë me sulm”.
Veprën e ka konfirmuar edhe Prokuroria në Pejë.
Arbër Jashari, njohës i fushës së Drejtësisë, deklaron se “për këto veprime, ligji ka paraparë dënim me burgim prej 6 muaj deri ne 3 vjet”.
Por, në vepër nuk duhet të jetë vetëm sulmuesja, sqaron Ndrecaj.
“Po te njëjtën dënim duhet t’u shqiptohet edhe personave tjerë përfshirë edhe personin i cili ka xhiruar gjithë ngjarjen duke cenuar dinjitet e viktimës”, deklaron ai.