Kuvendi i Zelandës së Re shprehu shqetësim për trajtimin e ujgurëve myslimanë në Kinë, por, ndryshe nga disa vende perëndimore, qeveria e këtij shteti refuzoi që ta cilësonte rastin si gjenocid.
Dallimi në qëndrime rreth kësaj çështjeje mes Zelandës së Re dhe aleatëve perëndimorë doli në pah gjatë një seance parlamentare që u zhvilluar të mërkurën, në të cilën politikanët njëzëri e përkrahën një mocion për të shprehur shqetësim të madh për dyshimet rreth shkeljes së të drejtave të njeriut kundër ujgurëve myslimanë.
Mocioni e mori përkrahjen e nevojshme për miratim vetëm pasi Partia e Punës e kryeministres Jacinda Ardern u sigurua që në dokument nuk do të përmendej akti i gjenocidit, shkruan RT, transmeton Gazeta Express.
Tri shtete të aleancës së inteligjencës “Pesë Sytë” – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Kanadaja – kanë deklaruar zyrtarisht se trajtimi i ujgurëve në Xinjiang të Kinës përbën gjenocid, por Australia dhe Zelanda e Re kanë refuzuar deri më tani që ta bëjnë të njëjtën gjë.
Kina nuk e ka komentuar miratimin e këtij mocioni, por Pekini më parë i ka refuzuar ashpër pretendimet për gjenocid. Ministria e Jashtme e Kinës në mars deklaroi se këto akuza janë absurde dhe gënjeshtër totale.
Sidoqoftë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dyshojnë se në kampet e përqendrimit në Kinë janë duke u mbajtur rreth 1 milion ujgurë, të cilët bëjnë punë të detyrueshme dhe nuk gëzojnë të drejta elementare.