Më 1 tetor në Serbi ka nisur regjistrimi i popullsisë, rrjedhimisht edhe regjistrimi i popullsisë në Preshevë, Megjvegjë dhe Bujanoc.
Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, kanë bërë thirrje shqiptarëve të participojnë në censusin në Serbi.
Ragmi Mustafi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka bërë të ditur se regjistrimi do të zgjasë për 1 muaj.
“Më 1 tetor fillon regjistrimi i popullsisë edhe në Luginën e Preshevës, një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, madje edhe historik. Për dy dekada kishim më pak shërbime e më pak institucione. Andaj le t’i përgjigjemi diskriminimit me regjistrim. Le t’i përgjigjemi pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar”, ka thënë Mustafi.
Sipas tij në Komunën e Preshevës janë 73 regjistrues të udhëhequr nga 12 instruktorë.
Në Komunën e Bujanocit janë 83 regjistrues të udhëhequr nga 13 instruktorë dhe në Komunën e Medvegjës janë 21 regjistrues të udhëhequr nga 4 instruktorë.
“Çdo regjistrues ka detyrim ligjor që të vizitojë çdo shtëpi dhe t’i regjistrojë gjithë familjarët”, ka shtuar ai.