Qeveria konfirmoi se sot i ka marrë 4 mijë e 680 doza të vaksinave Anti-COVID nga Pfizer. Me to do të vazhdojë vaksinimi i personelit shëndetësor. Ndërsa, komunat tashmë kanë filluar të zgjerojnë edhe më shumë kapacitet e vaksinimit, si përgatitje për dozat tjera të vaksinave që do të vinë nga ky muaj.
Me 4 mijë e 680 vaksinat të cilat erdhën sot në Kosovë nga Pfizer, do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se së ata që do të vaksinohen më këto vaksina do të jenë punëtorët shëndetësorë.
Ndërsa, nga kjo ministri kanë deklaruar se pas vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë do të vaksinohen personat me sëmundje kronike dhe personat tjerë sipas Planit të Vaksinimit kundër COVID-19.
“Ministria e Shëndetësisë pret që gjatë ditës së sotme të arrijnë 4680 doza të Pfizer në Kosovë. Këto janë pjese e asistencës prej 95,000 dozave të vaksinës kundër COVID-19 që BE i ka ndarë për Kosovën. Vaksinimi do të vazhdojë së pari me vaksinimin e personelit shëndetësorë që për arsye të ndryshme nuk ka mundur të vaksinohet në fazën e parë, për të vazhduar pastaj me dozat e tjera që pritet të arrijnë me vaksinimin e kategorisë me sëmundje kronike më të theksuara tek personat e moshuar dhe me radhë sipas kategorive si i parasheh Plani i vaksinimit kundër COVID-19”, është thënë nga kjo ministri sot gjatë ditës.
Derisa Kosova pritet të furnizohet me këto vaksina, komunat kanë filluar përgatitjet për zgjerimin e kapaciteteve për dhënien e tyre.
Megjithatë, drejtorë të shëndetësisë shprehen të painformuar rreth dozave që do të marrin si furnizim nga ministria.
Drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemaili, ka deklaruar se nuk ka informacione se me sa vaksina të Pfizer do të furnizohen, për që është shprehur se me dozat që do të vinë do të vaksinojnë punëtorët shëndetësorë, të moshuarit, e ata që i kërkohen nga Ministria e Shëndetësisë.
“Më të moshuarit besoj se do t’i vaksinojmë dhe ndoshta edhe punëtorët shëndetësorë. Planin e imunizimit e bënë ministria dhe IKSHPK dhe ne duhet ta zbatojmë atë”, ka deklaruar ai.
Xhemaili është shprehur se ka interesim shumë të madh të të moshuarve për ta marrë vaksinës, dhe se po zgjerojnë kapacitetet për dhënien e tyre.
“Është numër i madh i qytetarëve të moshuar që janë lajmëruar për vaksinim dhe sipas radhës do të vaksinohen. Ne jemi duke i bërë përgatitjet për caktim të hapësirave në mënyrë që të angazhojmë më shumë ekipe për dhënien e vaksinave dhe presim. Për aq sa furnizohemi, jemi të gatshëm”, ka thënë ai tutje.
Edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka thënë për Express se nuk janë të informuar se me sa doza të vaksinave do të furnizohen.
Ajo është shprehur se furnizimi prej rreth 5 mijë dozave që do të bëhet sot është i pamjaftueshëm, por që me sasinë që do të marrin do të vaksinojnë punëtorët shëndetësorë dhe ata që i kërkohen nga Ministria e Shëndetësisë.
“Po do të marrim ndonjë dozë, por nuk na kanë njoftuar asgjë, përveç kanë kërkuar të sigurohen hapësirat, kanë kërkuar një laptop dhe një printer, por për vaksina asgjë më tepër nuk na kanë njoftuar. Me siguri do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë që kanë mbetur. Ministria do ta caktoj moshën, por këto”, ka deklaruar ajo.
Ndonëse Kosova deri tani është furnizuar me vetëm 24 mijë doza të vaksinave Anti-COVID, interesimi për të marrë këtë vaksinë ka qenë shumë i madh, sidomos te të moshuarit.
Ndërsa, Kosova pritet të furnizohet me 195 mijë e 287 vaksina Anti-COVID deri në fund të muajit gusht. Bashkimi Evropian deri në fund të muajit gusht do ta furnizoj Kosovën edhe me 90 mijë doza të vaksinës. Ndërsa, COVAX ka premtuar që deri në fund të këtij muaji ta furnizoj Kosovën edhe me 100 mijë e 620 vaksina.