Për lëndët e gjuhës amtare, matematikë dhe shkenca natyrore ka filluar mësimi plotësues në objekte shkollore ndërsa do të zgjas deri në përfundim të vitit shkollor 2020-2021. Por në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit kërkojnë pagesë shtesë për mësimin plotësues.
Kjo sindikatë u është drejtuar edhe drejtorive komunale të arsimit që përmes drejtorëve të shkollave të pajisin me vendime individuale mësimdhënësit të cilët i angazhojnë në mësimin plotësues duke precizuar sa orë do t’i mbajnë, në cilën kohë dhe në cilin vend.
Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj tregon pse po kërkojnë pagesë shtesë.
“I lusim që ta kenë në konsideratë, ta mbështesin materialisht sikurse filloi qeveria e kaluar me 100 euro për muaj dhe kjo për dy arsye. Janë ndër sektorët më të prekur nga Covid-19 dhe se vendimi i fundit i ministres Nagavci obligon punëtorët e arsimit parauniversitar karshi normave që i kanë tash të mbajnë edhe mësim plotësues me nxënësit që për shkaqe të ndryshme nuk kanë arritur njohuri të duhura”, tha Rrahmani .
Nagavci ka reaguar ndaj kërkesës së SBASHK’ut për kompensim të orëve të mësimit plotësues. Ministrja e Arsimit thotë se mësimi plotësues parashihet edhe me legjislacion në rast se vërehen mangësi në zbatim të planit mësimor.
Ajo ka nënshkruar në muajin prill vendimin për mësimin plotësues për nxënësit që kanë ngecje në arritje të rezultateve si pasojë e Covid-19.