Vizita e diplomatëve evropianë në Kosovë më 9 shtator, në Bruksel po shihet si dëshmi se po synohet që të përshpejtohet procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Në Prishtinë, të premten do të qëndrojë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e Gjermanisë dhe Francës për dialogun, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.
Pas takimit në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diplomatët evropianë do të takohen në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Burimet diplomatike në Bruksel thonë për Radion Evropa e Lirë se angazhimi aktiv i Francës dhe Gjermanisë pritet të ndihmojë Lajçakun që të ketë më shumë ndikim te palët.
Edhe BE-ja ka mbështetur përpjekjet e Gjermanisë dhe Francës për të ndihmuar procesin e dialogut. Zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano, më 5 shtator tha për REL-in se vizita e emisarëve të këtyre dy shteteve do të shërbejë për të shqyrtuar opsionet për përparim në dialog.
Në dialogun për normalizim të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje. Por, shumica nga to nuk janë zbatuar në terren.
Diplomatët në Bruksel besojnë se tani është krijuar atmosferë pozitive pas nisjes së zbatimit të reciprocitetit për dokumentet midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas diplomatëve kjo atmosferë duhet të shfrytëzohet që të çohet përpara dialogu dhe të zgjidhen edhe çështjet e tjera të hapura mes palëve.
Nga 1 shtatori, Kosova dhe Serbia kanë hequr dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje/dalje dhe kalimi i kufirit po bëhet me dokumentet identifikuese të lëshuara nga shtetet përkatëse.
Prioritet, targat
Prioritet kryesor, ndonëse fillimisht nuk ishte paraparë të jetë fare tema e dialogut, është ajo e targave të veturave. Më 1 shtator, Kosova ka nisur procesin e riregjistrimit të targave të makinave nga ato që i lëshon Serbia, në targat RKS (Republika e Kosovës).
Qytetarët që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PR, PZ, KM e të ngjashme – mund t’i konvertojnë në RKS deri më 31 tetor.
Por, në BE duan që sa më shpejt, pa pritur që të skadojë ky afat, Kosova dhe Serbia të arrijnë pajtim për këtë çështje, në mënyrë që të shmangen tensione të reja në veri.
Çështja e dokumenteve dhe e targave kishte shkaktuar tensione në veri, teksa më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada.
Barrikadat u hoqën dhe atëbotë Qeveria e Kosovës shtyu për një muaj zbatimin e vendimeve. Në ndërkohë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi arritën marrëveshje për heqjen e dokumenteve për hyrje/dalje.
Në Bruksel pohojnë se Kosova ka të drejtë t’i japë fund përdorimit të targave KM (Mitrovica e Kosovës), por nuk përmenden targat KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – të cilat Serbia do që të aplikohen, por Kosova refuzon. BE-ja thotë se për konvertimin e targave duhet një afat i mjaftueshëm kohor.
“Qëndrimi i BE-së për çështjen e targave është bërë i qartë në disa raste. Sipas marrëveshjeve të dialogut të vitit 2011 dhe 2016 për lirinë e lëvizjes, Kosova ka të drejtë t’i japë fund përdorimit të targave KM. Megjithatë, është me rëndësi që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet e të zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët për të cilët vlejnë, në përputhje me praktikat më të mira evropiane”, thuhet në përgjigjen e BE-së rreth kësaj çështjeje.
Përveç çështjes së targave, diplomatët në BE thonë se tani fokusi do të jetë në zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur më herët, përfshirë atë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshja për energjinë.
Diplomatët gjermanë e francezë, së bashku me BE-në dhe SHBA-në, pritet të angazhohen që palët të shkojnë drejt arritjes së marrëveshjes finale për normalizimin e raporteve.
Në letrën që kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, u dërguan liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator, u kërkua që palët të jenë të gatshme për vendime të vështira në procesin e dialogut.
Por, Kosova dhe Serbia kanë qëndrime të kundërta sa i përket një marrëveshjeje finale. Përderisa Kosova dëshiron që pakti të përfshijë njohjen reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.