Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se ka vepruar në favor të Serbisë në dialogun e saj me Kosovën.
Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se kjo qeveri ka për flamur të vërtetë Beogradit dhe njeh si kryeqytet evropian atë të Serbisë dhe jo Brukselin.
Ai deklaroi se Rama prishi raportin mes Kosovës dhe Serbisë që ishin gati për të nënshkruar marrëveshje në kushte të barabarta.
“Rama u vu në shërbim të padronit të tij dhe bëri gjithçka për të bllokuar atë proces që eci deri në firmosjen e marrëveshjes së përgjithshme”, deklaroi Berisha.
“Në këtë udhëtim drejt Evropës ne do të kishim vështirësi të mëdha por u dëshmua një udhëtim i pandalshëm. Ëndrra evropiane e shqiptarëve u konkretizua me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO me një seri aktesh dhe marrëveshjesh me BE. Sot ne votojmë për flamurin evropian dhe kjo është shumë normale.
Por kjo qeveri flamur të vërtetë ka flamurin e Beogradit. Kryeqytet evropian nuk ka Brukselin por Beogradin. Në vitin 2013 Edi Rama sikur të zgjohej nga varri Enver Hoxha vrapoi me padurim drejt Beogradit. Mirëpo në vitet 2010-2013 pati negociata mes Prishtinës ehe Beogradit si palë të barabarta. Rama u vu në shërbim të padronit të tij dhe bëri gjithçka për të bllokuar atë proces që eci deri në firmosjen e marrëveshjes së përgjithshme.
Një faktor i rëndësishëm në arritjen e saj ishte qëndrimi i Shqipërisë me refuzimin kategorik të saj për të ndërhyrë në procesin e negociatave. Ai ishte pozicioni që forconte më shumë se çdo pozicion tjetër përfaqësimin e Kosovës nga qeveria e saj. Edi Rama me udhëtimin e tij në Beograd përmbysi këtë raport”, deklaroi Berisha.