Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeRama ultimatum diplomatëve iranianë: Largohuni brenda 24 orëve

Rama ultimatum diplomatëve iranianë: Largohuni brenda 24 orëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur sot se kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, vendim ky që pason sulmin kibernetik ndaj institucioneve shqiptare.

Rama në një videomesazh ka thënë se vendimi i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Ai tha se kaq kohë për largim ka i gjithë personeli diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe atë të sigurisë.

“Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron. Nisur nga sa më lart Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Ky vendim i është bere i ditur me note zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike te Iranit, te cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshirë edhe personelin e sigurisë”, ka thënë ai në videomesazh.

Megjithatë, Rama tha se ky vendim ishte aspak i dëshiruar, por i detyruar.

“Kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend”, shtoi ai.

Kryeministri shqiptar tha se për këtë vendim kanë informuar aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kanë ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit kibernetik ndaj Shqipërisë

“Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë, falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na u bashkuan në këtë luftë, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjeshtë prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike. Por lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t’i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur… Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorëve, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim”, tha Rama.

Më 15 korrik, Shqipëria ishte objekt i një sulmi të rëndë kibernetik. Sipas Ramës, ky sulm kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments