Saturday, November 23, 2024
HomeBota300 euro për secilin person, Gjermania me pako të madhe ekonomike

300 euro për secilin person, Gjermania me pako të madhe ekonomike

Qeveria gjermane do të miratojë së shpejti një pako të tretë ndihmash për lehtësimin e qytetarëve nga kriza aktuale. “Jemi duke punuar për një konstrukt të ri lehtësimesh të mëdha”, tha kancelari Scholz të mërkurën para gazetarëve në Brandenburg, në Kështjellën Meseberg, ku ishte zhvilluar takimi këshillues mes tre partive të koalicionit.

Ministri i Financave, Christian Lindner, i partise liberale, FDP, e quajti një “pako të fuqishme” dhe gjithëpërfshirëse. Ai tha se do të ketë mbështetje financiare për të disfavorizuarit. Por ministri shtoi se pakoja do të përmbajë edhe mekanizma që shmangin spekulimet me çmimet e energjisë.

Bileta mujore 9 euro skadon

Megjithë pyetjet e gazetarëve, as Lindner, as Scholz e as ministri i energjisë Habeck, nga partia e te gjelbërve, nuk dhanë hollësi për masat që do të përmbajë pakoja e tretë. Ajo pritet të miratohet nga mesi i shtatorit. Nuk dihet as edhe se a do të përfshihet sërish bileta mujore e transportit publik prej vetëm 9 euro. Ministri federal i financave, Christian Lindner, tha se po shqyrton aktualisht mundësinë e financimit të një bilete të tillë me çmim të reduktuar, por kërkoi që një pjesë e biletës të financohej edhe nga landet.

Bileta mujore prej 9 eurosh ishte masë e pakos s dytë lehtësuese që qeveria mori si pasojë e rritjeve të çmimeve, shkaktuar kryesisht nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Ndërkohë qeverisë po i kërkohet nga shumë politikanë dhe personalitete të njohur, aktivistë e ambientalistë, që ta bëjë të përhershme masën e biletës 9 euro, e cila skadoi më 31 gusht.

Nga 300 euro dhuratë

Më 1 shtator skadon edhe subvencionimi i çmimit të karburantit. Por qytetarët do të lehtësohen me një ndihmë financiare me nga 300 euro për çdo person që është në marrëdhënie pune, duke përfshirë edhe punët si studentë ose punët me orar minimal (minijob). Masa i përket gjithashtu pakos së dytë dhe do të paguhet nëpërmjet punëdhënësit. Shuma prej 300 euro do t’i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat dhe do të mbërrijë e reduktuar në kuletën e qytetarit. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, në varësi nga tarifat tatimore të secilit, ajo mund të mpaket deri në 142 euro.

Më pak drita, më pak ngrohje

Gjithashtu më 1 shtator hyn në fuqi rregullorja e re për kursimin e energjisë. Ajo parashikon ndër të tjera që dyqanet t’i mbajnë dyert e mbyllura, të mos ketë më reklama me drita, pas orës 22:00, të hiqen projektorët ndriçues nga monumentet dhe ndërtesat e tjera të ngjashme. Gjithashtu është paraparë ulja e temperaturës në vendet e punës dhe ndërtesat publike. Përjashtime bëjnë spitalet, kopshtet, shkollat ose institucione të tjera. Në sektorin privat gjithashtu nuk lejohet më nxehja e pishinave private, si edhe qiramarrësit nuk janë të detyruar të ruajnë një nivel temperature në dhomat që kanë marrë me qira. /DW

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments