Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeSkandal, konflikti Ministri -Komuna për listat e grevistëve, punëtorëve shëndetësorë nuk iu...

Skandal, konflikti Ministri -Komuna për listat e grevistëve, punëtorëve shëndetësorë nuk iu dalin pagat

Në kohën e pandemisë cilësoheshin si heronj, por tani Ministria e Financave nuk ua ka ekzekutuar pagat punëtorëve shëndetësorë të QKMF-ve dhe QMF-vë në nivel vendi. Këtë informacion e ka konfirmuar për Gazetën Express mjeku Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.

Veprimit të MF-së për mos-ekzekutimin e pagave Sejdiu tha se OMK do t’i përgjigjet me një reagim, teksa shton se QKMF në Prishtinë nuk i kanë përjashtuar protestat.

Sejdiu e cilësoi si të papranueshme vonesën e pagave për punëtorët shëndetësorë edhe pse nuk kanë qenë të involvuar në grevë apo protesta.

“Ne dje kemi marrë informata prej kolegëve tanë nga QKMF e Prishtinës, nuk ju kanë dalë pagat edhe do të organizojnë protestë ky ka qenë reagimi i tyre. Është dhënë si mendim i punëtorëve shëndetësorë në QKMF në Prishtinë. Do të thotë sa mora vesh Ministri i Finanacave ka dal me deklaratë se nuk do të dalin pagat për komuna që s’i kanë dorëzu listat e grevistave siç i kanë kërkuar ata, por ku është faji të them “nëse paskan faj grevistat”, ku është faji i këtyre që vazhdojnë punën dhe nuk paguhen. Kjo është e padrejtë”, tha Sejdiu për Gazetën Express.

“Kjo është për shkak të konfliktit mes Ministrisë së Financave dhe nivelit komunal”, u shpreh më tej Sejdiu.

I pyetur se çfarë do të ndërmarrë OMK në këtë rast, ai tha “OMK është duke e bë një reagim drejtpërdrejt Ministrisë së Financave dhe cila është logjika me dënu dikë, apo me ia vonu pagën. Janë kategori që nuk janë të involvuar në këto çështje dhe nuk kanë të drejtë me ia vonu njerëzve pagat”.

“Nuk kemi informata se ka pasur ndonjë protestë, sa i përket grevave punëtorët shëndetësore nuk kanë hy në grevë. Është e papranueshme një vonesë e pagave te punëtorët shëndetësor që nuk kanë qenë të involvuar në grevë apo protesta”, përfundoi ai.

Ndryshe, prej ditësh Qeveria është në “luftë” me grevistët. Qasja e qeverisë ndaj tyre është kritikuar shumë nga opozita.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në reagimin e bërë ka thënë se “Qeveria duhet që të përmbushë obligimet ndaj mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë si dhe të lejë anash këtë logjikë shantazhi e revanshi. Kjo situatë kërkon masa lehtësuese për gjendjen, jo masa ndëshkuese për mësuesit”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke iu referuar situatës me punëtorët e arsimit vlerëson se është e drejtë e institucioneve arsimore dhe të administratës që të vihen në grevë.

“Kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme. Por është e drejtë legjitime e Qeverisë që të kërkojë që mësimdhënësit t’i nënshtrohen testit të rivlerësimit, proces ky që duhet të ishte ndërmarrë që moti”, ka shkruar ai ndër të tjera. /Express

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments