Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër kreut të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Ai dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale njofton se aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit se i pandehuri, kreu i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në vazhdimësi në cilësinë e personit zyrtar ka kryer veprën penale me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm shtetasit R.R. dhe buxhetit të komunës.
“Me këto veprime i pandehuri R.B. ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.