Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeTentimi i spiunes së Putinit për të hyrë në Kosovë pak ditë...

Tentimi i spiunes së Putinit për të hyrë në Kosovë pak ditë pasi Vuçiqi gati sa nuk e nisi luftën

Situata që e solli një atmosferë lufte në veri të Kosovës mbrëmjen e 31 korrikut, duket se është shtensionuar pak me ndërhyrjen e SHBA-së. Kështu, Rusia nuk duket e kënaqur. Një spiune e inteligjencës ushtarake të Putinit të shtunën u ndalua në një tentim për të hyrë në Kosovë.

Pak ditë pasi mosmarrëveshjet Kosovë – Serbi iu afruan një konfrontimi të armatosur të nxitur me shpejtësi nga Beogradi, Daria Aslamova, një spiune ruse e inteligjencës ushtarake të Putinit, të shtunën tentoi të hyjë në Kosovë. Policia e ndaloi dhe ajo aktualisht është në mbajtje, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi sot se e ka shpallur atë person të padëshirueshëm, duke ia ndaluar hyrjen në Kosovë për 5 vite.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ai paralajmëroi masa të njëjta për këdo tjetër “që me qëllime apo direktiva të caktuara cënon apo tenton të destabilizojë vendin tonë”.

Siç njoftoi MPB-ja dje, shumë shtete kishin vërtetuar se Daria Slamova ishte angazhuar në spiunazh për Rusinë duke vepruar nën petkun e gazetares, duke ia ndaluar hyrjen.

“Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”, njoftoi të shtunën Sveçla.

Ministri i rendit tha se institucionet e Kosovës “kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj”, ndërsa theksoi se po vazhdonte angazhimi për “zbardhjen e qëllimeve të saj”.

Daria Aslamovas iu publikua një fotografi me ish-presidentin e Republikës Serbe të Bosnjës, kriminelin e dënuar me burgim të përjetshëm, Radovan Karaxhiq.

Virussia, një faqe me seri dokumentarësh e ka publikuar këtë fotografi në Twitter, duke thënë se ajo ka korruptuar të intervistuarit e saj me shërbime seksuale.

“Gazetarja ruse (lexo spiunja😉) Daria Aslamova korruptoi të intervistuarit e saj me shërbime seksuale. Sot në Kosovë, ajo tregoi se është thjesht një plakë e kohës së Putinit. Në këtë foto, së bashku me kriminelin serb Radovan Karaxhiq, ajo ishte një vajzë e re me shumë energji”, shkroi “Virussia”.

Ndalimi i spiunes ruse u bë në të njëjtën ditë kur në drejtim të zyrtarëve të policisë kufitare të Kosovës pati rreth 10 të shtëna, derisa ata po e kryenin kontrollën rutinore në liqenin e Ujmanit.

“Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”, tha Sveçla.

Qeveria e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq mbetet e vetmja në Europë që refuzon t’i vë sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Beogradi i ka mbajtur të hapura fluturimet për në Moskë dhe madje nën presionin e Perëndimit, zgjodhi t’i afrohej edhe më shumë Rusisë me një marrëveshje të favorshme për gazin.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nxitur tashmë tensione në rajon, dhe presidenti rus, Vladimir Putin ka gjetur hapësirë te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Rusia shpejtoi t’i dalë në mbrojtje Serbisë pas të shtënave dhe barrikadave të 31 korrikut në veri. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova e akuzoi Kosovën për “kërkesa diskriminuese”, madje duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian që të angazhohen për “ndalimin e provokimit”.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur këtë javë qëndrimin se misioni i KFOR-it është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë nëse rrezikohet stabiliteti. Këtë ia tha në telefon të mërkurën presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilin e thirri pas tensioneve të rritura në veri të Kosovës.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe t’i zgjidhin mospajtimet përmes demokracisë. Misioni i NATO-s, KFOR, bazuar në mandatin e Kombeve të Bashkuara, qëndron i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka thënë Stoltenberg përmes një postimi në Twitter.

Një ditë më herët, Stoltenberg kishte bisdeuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Këtu, shefi i Qeverisë së Kosovës ia kishte përmendur atij ndihmën që po ia jep Rusia Serbisë.

“Kryeministri Kurti e informoi sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin”, u tha në njoftimin e Qeverisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments