Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeShkuan për t’i marrë 200 milionë, iu doli Asociacioni

Shkuan për t’i marrë 200 milionë, iu doli Asociacioni

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani nuk e lëshuan rastin për të marrë pjesë në ceremoninë në Uashington, ku Kosovës do t’i jepeshin mbi 200 milionë dollarë. Më pas doli se e kishin aranzhuar edhe  takimin me Sekretarin Amerikan të Shtetit, përmbajtjen e të cilit, të plotë, vetë ata, nuk e zbuluan as sot e kësaj dite. Të premten, duket se amerikanëve iu sos durimi.
Emisari Gabriel Escobar zbuloi se Blinken u ka kërkuar Kurtit e Osmanit, që Kosova të pranojë diskutimet për krijimin e Asociacionit – i cili është një nga arsyet që Presidentja e Kryministri janë në pushtet.

Albin Kurti mund të thuhet se shkëlqimin e vet retorik në skenën politike e kishte arritur duke e kundërshtuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilit ia kishte vënë edhe emrin Zajednicë, duke e shqiptuar kumbueshëm në secilin rast kur e refuzonte.

E kishte përdorur për të mobilizuar masat dhe për ta shpalosur në të gjithë intervistat që jepte në betejën e tij me Qeveritë, që herë drejtoheshin nga Thaçi, Mustafa e Haradinaj.

Kurti ka vazhduar ta ketë kauzë të fortë kundërshtimin e kësaj teme. Ai e di përmendësh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e kishte testuar Kushtetutshmërinë e marrëveshjes në vitin 2015, duke e përmendur shpesh se ajo “ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën”.

Disa muaj më parë, Kurti fliste edhe për Vjosa Osmanin e Glauk Konjufcën si figura që e kishin kundërshtuar këtë marrëveshje.

“Sot i keni në krye të institucioneve njerëzit të cilët në vitin 2013 kanë qenë kundër asaj marrëveshje, ndërsa sot ata tre vetë, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti më 14 shkurt të vitit 2021 kanë arritur fitore plebishitare” shprehej Kurti.

Tash, kur Qeverisë Kurti 2 po i bëhen më 1 vjet e gjysmë qeverisje, temat e këtij lloji nuk i ka shumë për qejf.

Reagon jo pa nervozë kur gazetarët ia rikujtojnë në formë të kërkesës së ndërkombëtarëve.

Rreth 10 ditë më parë kur takuan me Sekretarin Blinken, pas ardhjes në Kosovë në një konferencë me gazetarë, Kurti e Osmani në mënyrë efektive e fshehën temën e Asociacionit. Ajo tha se nuk është diskutuar as Ballkani i Hapur e as çështja e Manastirit të Deçanit, më saktë

“S’është përmendur Ballkani i Hapur” kishte thënë Osmani.

Ndërsa Kurti e kishte plotësuar atë.

“80% të vëllimit kohor ka pasë të bëjë për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-SHBA dhe konteksti ndërkombëtar. SHBA e njeh plotësisht siç ajo e ka shpallë vetën – shtet i pavarur,  sovran dhe demokrati. Kosova për SHBA-në është shtet normal. Ajo çka e pranojmë janë marrëdhëniet me Serbinë s’e ka normale”, plotësoi Kurti, duke treguar se theksi i takimit ishte vënë te partneriteti Kosovë-SHBA.

Ditëve të fundit kur në Veriu u tensionuan raportet Kosovë -Serbi për shkak të vendimit të Qeverisë për reciprocitetin, njeriu i Vuçiqit Petar Pekoviq i mblodhi përfaqësuesit serbë në Rashkë për ta nxjerrë aty si kërkesë bosht krijimin e Asociacionit.

Kërkesa për Asociacionin  u bë edhe pardje nga Bashkimi Europian. Atë e përsëriti Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell në një përgjigje që ua dërgoi europarlamentarëve.

“Të dyja palët, Kosova dhe Serbia ranë dakord për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja ishte ratifikuar nga parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet të përmbushë detyrimin e saj ligjor dhe të zbatojë atë pa vonesa. Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara”, tha ai.

Europianët, nëpërmjet emisarit Miroslav Lajcak, kanë siguruar palën kosovare se Asociacioni nuk do të jetë një Republika Srpska.

Pak a shumë kështu garantoi edhe  i dërguari amerikan për Ballkanin dhe për bisedimet Kosovë Serbi i cili duke parë që Kurti e Osmani s’po e shpalosin kërkesën amerikane e publikoi vetë.

“Sekretari [amerikan i Shtetit, Antony]Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”.

Pastaj shqiptoi garancinë amerikane se cka nuk do të jetë ky Asociacion.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments