Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeEuronews me një storie të gjatë përpiqet të marrë vesh pse kosovarëve...

Euronews me një storie të gjatë përpiqet të marrë vesh pse kosovarëve s’po u hiqen vizat

Derisa shumica e njerëzve në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor mund thjesht të paketojnë valixhet, të blejnë një biletë, të kapin pasaportat dhe të nisen për pushimet e verës në vendet ku duan, qytetarët e Kosovën s’e patën kurrë këtë privilegj.

Kështu nis një artikull të gjatë Euronews për procesin, të cilin kosovarët aktualisht e konsiderojnë më të padrejtin që iu bëhet nga vendet e BE-së.

Gati dy milionë njerëz që jetojnë në shtetin më të ri të Europës duhet të durojnë procesin rraskapitës, që kërkon kohë dhe kushton shtrenjtë të aplikimit për vizë në BE dhe në zonën Shengen. Pavarësisht premtimeve nga Brukseli, Kosova mbetet i vetmi vend në Europën kontinentale, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë, jashtë regjimit pa viza të BE-së, i cili u lejon vendeve që s’janë anëtare të bllokut të hyjnë në zonën Shengen për 90 ditë në një periudhë gjashtëmujore, vazhdon artikulli, i cili tregon edhe për pritjet e gjata në dyert e ambasadave.

Udhëtimi pa viza është ende një ëndërr

Problemet e vizave kosovare janë po aq të vjetra sa edhe vetë vendi. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia gati një dekadë pas konfliktit të viteve 1998-1999 që çoi në një ndërhyrje të NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Euronews shkruan edhe për proceset pasuese të pavarësimit të vendit deri te Marrëveshja e Brukselit.

Të gjitha vendet e tjera në rajon kanë negociuar me sukses regjimin e liberalizimit të vizave midis viteve 2009 dhe 2010, shkruan ky medium derisa theks i vë edhe premtimit të zellshëm të BE-së në vitin 2014 kur Kosova e ratifikoi demarkacionin me Malin e Zi.

Në qershor, Këshilli i BE-së u tha se po shqyrtonte heqjen e vizave ndërsa vendet perëndimore përpiqeshin të rrisnin ndikimin e tyre në rajon, nga frika se Rusia mund të shfrytëzonte vakumin në mes të luftës së saj në Ukrainë.

Megjithatë, liberalizimi i vizave – i dhënë vendeve më të reja kandidate, Moldavisë dhe Ukrainës, përkatësisht në vitin 2014 dhe 2017 – mbeti edhe një herë një ëndërr e çuditshme për kosovarët.

Të luash si macja me miun

Ka shumë komplikime që lindin nga rregullat e vendeve të ndryshme për lëshimin e vizave, shpesh duke shkaktuar kosto shtesë dhe humbje kohe për të kapërcyer rrathët burokratike.

Shpesh, pengesat janë të pamundura për t’u zgjidhur, veçanërisht nëse dikush dëshiron të transferohet në një nga vendet anëtare të BE-së.

Qytetarët e Kosovës që duan të marrin një vizë austriake për qëndrim duhet të aplikojnë për të në Shkup, në Maqedoninë e Veriut – dy orë me makinë nga kryeqyteti i Kosovës – edhe pse ka një ambasadë austriake në Prishtinë.

Nëse ata kanë nevojë për një vizë belge “D”, ambasada do t’u kërkojë atyre ta marrin atë në Sofje – pavarësisht se ata gjithashtu kanë nevojë për një vizë për të hyrë në Bullgari.

Disa ambasada, si ato italiane apo gjermane, janë përpjekur maksimalisht për të përmirësuar procesin dhe aplikacioni mund të dorëzohet në Prishtinë pa pasur nevojë për ndërmjetës.

Të tjerët, duke përfshirë ambasadën zvicerane, përdorin një agjenci ndërmjetëse që merr dokumentet e aplikimit dhe dorëzon vizën nëse miratohet – por kjo ndonjëherë mund të jetë e ndërlikuar dhe e kushtueshme.

Me kalimin e viteve, shumë agjenci private u shfaqën pranë ambasadave të ndryshme, duke ngarkuar një shumë për të ndihmuar njerëzit të përgatisin të gjitha dokumentet e nevojshme, të cilat përfshijnë gjithçka, nga deklaratat bankare, të dhënat e punësimit apo deklaratat tatimore.

Pasaporta e Kosovës më e keqe se ajo bjelloruse e ruse

Sipas renditjes së lirisë së udhëtimit, që e hartoi Henley Passport Index, Kosova ndan vendin e 90-të në listën e pasaportave më të forta në botë, së bashku me ato si Chadi, Butani dhe Kamboxhia.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirisht në rreth 53 vende nga gjithsej 193. Madje edhe disa vende që njihen si ndër më pak kufizueset në botë, si Mauritius apo Gjeorgjia, u kërkojnë kosovarëve që të kenë vizë ose ua ndalojnë fare hyrjen.

Në fakt, është teorikisht më e lehtë për shtetasit e Kosovës të udhëtojnë në destinacione të largëta ekzotike. Vizita në vendin fqinj ballkanik të Bosnjës – ku disa kosovarë kanë lidhje familjare ose biznesi – mund të jetë pothuajse e pamundur, pasi vendi është ndër ata që nuk e njohin Kosovën dhe kërkon një vizë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u marrë.

Nga ana tjetër, kjo, së bashku me një standard të ulët jetese, i ka kufizuar kosovarët të udhëtojnë në vende si Shqipëria fqinje apo Turqia.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments