Ambasadori amerikan, Jefff Hovenier, në takimin që pati me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, ia ka thënë edhe personalisht qëndrimin e SHBA-së për nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojiçiq, i cili është edhe në kërkim të Policisë së Kosovës.
“Në kontekstin e deklaratave të fundit, më duhet t’iu përkujtoj qytetarëve se nga perspektiva e SHBA-së, Milan Radojiçiq është sanksionuar nga Thesari i SHBA-së në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin dhe korrupsionin transnacional. Pikëpamja e SHBA-së për këtë individ është e njohur”, zbuloi Hovenier para mediave mesazhin që ia ka dhënë Rakiqit.
Kur ky qëndrim amerikan u shpërnda në mediat kosovare, Lista Serbe pati dalë me një deklaratë, duke i quajtur ato shpifje dhe “dëshira të tyre”.
“Është më se e trishtueshme se disa media në Prishtinë që në dëshirën e tyre për të rrëzuar Listën Serbe shpikin burime të supozuara, pa emër, ose më mirë të themi inekzistente që kinse paralajmërojnë partinë tonë”, pati thënë kjo parti, derisa me siguri të plotë tha se askush nga ndërkombëtarët s’i ka paralajmëruar për këtë.