Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeJarinja e Bërnjaku vazhdojnë të jenë të bllokuara

Jarinja e Bërnjaku vazhdojnë të jenë të bllokuara

Në veri të Kosovës, në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – po vazhdojnë të jenë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Këtë e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Gjendja nuk ka ndryshuar. Situata është e qetë, nuk ka ndodhur asgjë. Barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë”, tha Hoti për Radio Evropa e Lirë.

Serbët lokalë më 31 korrik vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë janë lëshuar dokumentet e para për hyrje-dalje.

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.

Praktikë të njëjtë Serbia ka aplikuar ndaj qytetarëve të Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë parasheh që të gjithë pronarët e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – të mund të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës).

Targat me akronime të qyteteve të Kosovës, nga Prishtina zyrtare konsiderohen ilegale, por vlerësohet se në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa të tilla.

Për shkak të tensioneve në veri, Policia e Kosovës ka mbyllur dy pikëkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, dhe ka udhëzuar qytetarët që të përdorin pikëkalime të tjera.

Më 31 korrik, Policia raportoi se ka pasur të shtëna me armë zjarri në disa lokacione dhe disa kanë qenë drejtim të Policisë, por nuk ka pasur të plagosur.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments