Komisioni Europian përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se në muajin mars ka lëvruar 90 milion eurot e para të përfituara nga asistenca 180 milion euroshe për Shqipërinë.
“Për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, Komisioni Europian lëvroi këtë mars 90 milion € e parë të ndihmës makro-financiare. Një tjetër demonstrim i fortë dhe konkret i solidaritetit të BE me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë në një kohë krize të paparë.” thuhet nga KE.
Sjellim ndërmend se me 25 maj 2020, Bashkimi Evropian miratoi vendimin për të vënë në dispozicion asistencën makro-financiare drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të zgjerimit të Evropës Lindore në kontekstin e krizës nga pandemia COVID-19.
Ndërkohë Ministria e Financave njoftoi se nga fondi i alokuar, Republika e Shqipërisë do të përfitonte asistencën makro-financiare prej 180 milion euro në formën e një huaje të butë, me normë indikative të interesit rreth 0.5% me kushtet aktuale të tregjeve financiare.