Të shpeshta janë rastet kur zyrtarët policorë janë arrestuar si dhe janë larguar nga pozitat të cilët mbanin më herët.
Madje shumë prej tyre përfunduan edhe në burg, për shkak të veprave penale.
Vetëm gjatë vitit 2020 si subjekt i hetimit nga Inspektorati Policor i Kosovës ishin gjithsej 208 punonjës të Policisë së Kosovës.
Kthyer në përqindje i bie që 2.3 përqind e punonjësve të Policisë së Kosovës janë hetuar nga IPK-ja nën dyshimin se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
“IPK vitin e kaluar ka proceduar me kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit gjithsejtë 82 raste”, u tha në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga IPK.
Përpos kësaj, gjatë vitit 2020 Inspektorati Policor i Kosovës ka realizuar gjithsej 32 arrestime të punonjësve policorë të dyshuar për vepra penale dhe gjashtë qytetarëve të dyshuar të cilët ishin të përfshirë në veprimtari penale në rastet ku u hetuan këta punonjës të PK-së.
Përpos kësaj Inspektorati Policor i Kosovës përgjatë kësaj periudhe ka rekomanduar 83 suspendime dhe një transferim.
“Në vitin e kaluar IPK-ja ka hetuar 32 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare”, u tha gjithashtu në përgjigjen e zyrës për media nga IPK.
Pesë veprat penale më të shpeshta të hetuara nga Inspektorati Policor i Kosovës në vitin e kaluar janë lëndim i lehtë trupor, keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, dhuna në familje dhe vepra penale e sulmit.
Ndërsa sa i përket këtij viti, vetëm nga 1 janari deri më 30 mars 2021, IPK përkatësisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar 23 zyrtarë policorë.
Nga këto arrestime të suspenduar janë 40 zyrtarë policorë dhe një nga stafi civil kurse është transferuar një zyrtarë tjetër policorë.
Duhet përkujtuar që Policia e Kosovës si institucion ndër vite është zgjedhur si institucioni më i besueshëm nga qytetarët.
Pavarësisht kësaj, gjatë viteve të fundit në kuadër të IPK-së pati hetime dhe arrestime të shumta për zyrtarët policorë të cilët dolën jashtë kornizave policore dhe kryen vepra të dyshimta penale e kriminale.