Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaBazat e huaja ushtarake në Ballkan – Amerikanët bazën më të madhe...

Bazat e huaja ushtarake në Ballkan – Amerikanët bazën më të madhe në Kosovë

Përveç portit dhe historisë së gjatë, qyteti shqiptar Durrësi së shpejti mund të bëhet i njohur si vendi i një baze të re të NATO-s në gadishullin Ballkanik.

Kjo ka qenë pikërisht një nga temat e takimit të fundit mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të zhvilluar në selinë e Aleancës në Bruksel.

“Besoj se së shpejti do të kthehemi në Bruksel për të vazhduar negociatat për atë propozim”, deklaroi ditë më parë Rama.

Ajo bazë, siç shprehet ai, do të vendosej në portin e ri të Porto Romanos, ku përveç pjesës për tregti, “pritet të ketë edhe një pjesë ushtarake”.

Nëse me të vërtetë është formuar, kjo është “një shenjë e shtrëngimit të politikës së NATO-s”, tha për BBC-në (në gjuhën serbe), Tracey German, e cila ligjëron sigurinë dhe konfliktet në King’s College në Londër.

I pyetur pse shtetet apo aleancat në vendet e huaja ndërtojnë baza apo objekte ushtarake, Jerman jep një përgjigje të thjeshtë.

“Në bazë të pozicionit – për sigurinë e anëtarëve, por edhe për të forcuar aftësitë dhe kapacitetet e gjithë aleancës”, thekson ai.

Prania e fuqive të huaja në Ballkan në dekadat e fundit nuk janë aspak të pazakonta, veçanërisht përmes forcave paqeruajtëse gjatë luftërave të viteve 1990, si UNPROFOR në Bosnje dhe KFOR në Kosovë.

Shumica e rajonit që atëherë është bërë pjesë e NATO-s – Sllovenia në 2004, Kroacia dhe Shqipëria në 2009, Mali i Zi në 2017 dhe Maqedonia e Veriut në 2020.

Shtohet pyetja se çfarë bazash dhe lehtësirash përdorin vendet e huaja në rajon?

Kosova

Një nga më të njohurat është baza ushtarake amerikane Bondsteel në Kosovë, e cila përdoret edhe nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it.

Bëhet fjalë për bazën e hapur pas luftës në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999, kur NATO bombardoi Republikën Federale të Jugosllavisë.

Shkak për ndërhyrjen ushtarake të aleancës së NATO-s ishte përndjekja e shqiptarëve të Kosovës nga forcat e sigurisë serbe.

Baza u emërua sipas James Leroy Bondsteel, një ushtar amerikan që shërbeu gjatë Luftës së Vietnamit, pas së cilës iu dha Medalja e Nderit.

Bondsteel ndodhet afër qytetit Ferizaj, në lindje të Kosovës, jo shumë larg kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Ajo mbulon pak më pak se katër kilometra katrorë gjersa është ndërtuar për vendosjen e 7 000 ushtarëve, gjë që e bën atë bazën më të madhe amerikane në Ballkan.

Bosnja-Hercegovina

Në Sarajevë, në vijën që ndan Federatën dhe Republikën Serbe – dy entitetet në të cilat u nda vendi me Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995 – ndodhet baza EUFOR.

Bëhet fjalë për forcat e Bashkimit Evropian që mbikëqyrin zbatimin ushtarak të Marrëveshjes së Dejtonit dhe ndodhen në Bosnje dhe Hercegovinë që nga viti 2004.

Para kësaj, zbatimi mbikëqyrej nga SFOR dhe IFOR, nën komandën e NATO-s.

Në mars, 500 ushtarë që mbërritën në EUFOR u vendosën në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën.

Mali i Zi

Vitet e fundit shpesh në media janë shfaqur informacione se në Mal të Zi do të ndërtohet një bazë e NATO-s.

Megjithatë, si autoritetet e Malit të Zi ashtu edhe NATO-ja i mohojnë gjithmonë këto pretendime.

“NATO nuk po planifikon investime të ngjashme në Mal të Zi dhe nuk do të ndërtojë një bazë ushtarake në atë vend”, tha Piers Casale, zëdhënës i NATO-s.

Mali i Zi është bërë pjesë e aleancës më të fortë ushtarake në botë në vitin 2017.

Sllovenia

Disa aeroporte në rajonin tonë shfrytëzohen nga NATO-ja, të cilat përdoren nga aeroplanët e Aleancës.

Një prej tyre, aeroporti Cerkje në Slloveni, si “baza e parë e NATO-s në territorin e ish-Jugosllavisë”.

Bëhet fjalë për një aeroport dhjetë kilometra larg kufirit të Kroacisë dhe Sllovenisë, i cili ishte një nga më të mëdhenjtë në ish-RSFJ.

Aeroporti më parë ishte shfrytëzuar nga Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) dhe rreth tij pati luftime gjatë shkëputjes së Sllovenisë nga Jugosllavia.

Sot, Cerkje është aeroporti ushtarak qendror i ushtrisë sllovene, por edhe bazë për mbështetje logjistike për NATO-n.

Serbia

Statusi i Qendrës Humanitare Serbo-Ruse në Nish prej kohësh ka shkaktuar tension. Ajo u ndërtua në vitin 2012 në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Rusisë, me qëllim të “sigurimit të një sërë detyrash humanitare në territorin e Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit”.

Megjithatë, zyrtarët perëndimorë shpesh deklarojnë se bëhet fjalë për një bazë të inteligjencës dhe madje ushtarake ruse, të cilën e mohojnë Beogradi dhe Moska.

“Nëse e lejon Rusinë të krijojë një qendër spiunazhi, Serbia do të humbasë kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj”, tha Hoyt Brian Yee, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i ngarkuar për Evropën dhe Euroazinë, në vitin 2017.

Ndërkohë qendra ka kërkuar edhe status diplomatik për stafin, i cili ende nuk ka arritur “për shkak të rezistencës së madhe të Bashkimit Evropian”, shkruan danas.

Qendra humanitare serbo-ruse ishte temë edhe në Parlamentin Evropian.

Së pari, gjashtë eurodeputetë u bënë thirrje autoriteteve serbe që të “sigurojnë më shumë transparencë në lidhje me rolin dhe aktivitetet e të ashtuquajturve të qendrës humanitare”.

Amendamenti i dytë u paraqit nga Viola von Cramon, anëtare e të Gjelbërve Evropianë, e cila praktikisht kërkoi shfuqizimin e qendrës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, tha së fundmi se qendra “me punën dhe veprimin e saj fisnik…e arsyetoi qëllimin e saj të ekzistencës”.

Ndryshe, Aleanca e Atlantikut të Veriut është një aleancë ushtarake e 30 vendeve të Amerikës së Veriut dhe Evropës e formuar në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar më 4 prill të vitit 1949.

Organizata përfaqëson një sistem të mbrojtjes kolektive ku anëtarët e organizatës bien dakord për mbrojtjen e ndërsjellë kundër sulmeve nga çdo element i jashtëm, sipas faqes së internetit të NATO-s.

Selia e NATO-s ndodhet në Bruksel, Belgjikë, ndërsa Komanda Supreme ndodhet në Mons, në të njëjtin vend.

Kur u themelua në vitin 1949, NATO kishte 12 vende anëtare dhe ky numër është rritur në 30 sot.

Vendi i fundit që iu bashkua aleancës ishte Maqedonia e Veriut, më 27 mars 2020.

Suedia dhe Finlanda pritet të jenë vendet e reja që do t’i bashkohen aleancës ushtarake.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments