Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaRreth 225 milionë euro shkëmbime tregtare Kosovë-Shqipëri këtë vit

Rreth 225 milionë euro shkëmbime tregtare Kosovë-Shqipëri këtë vit

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë arritur në 225 milionë euro. Mallrat e eksportuara nga Kosova në Shqipëri, kanë shënuar rritje prej 50 për qind, në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa edhe eksporti i mallrave nga Shqipëria në Kosovë ka rritje në vlerë prej 14.5 për qind. Kjo rritje nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, vlerësohet pozitive dhe e kënaqshme.

Minxhozi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se pret që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 të ketë rritje edhe më të madhe të shkëmbimeve tregtare.

“Në fushën e shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë, Kosovës dhe anasjelltas, kemi një rritje të kënaqshme. Mallrat (e eksportuara) nga Kosova në Shqipëri kanë shënuar një rritje prej 50 për qind, krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar. Dhe mallrat e eksportuar nga Shqipëria në Kosovë, janë rritur në masën 14.5 për qind. Në total ne shkëmbejmë në mes veti 225 milionë euro mallra në gjysmën e parë të vitit 2022. Rritja është diku e përgjithshme dhe pozitive. Besojmë se rritja në gjashtëmujorin e dytë, do të jetë më e madhe fal edhe disa masave organizative që janë marrë nga organet ligjzbatuese të doganave, tatimeve të dy vendeve, duke rritur bashkëpunimin dhe ulur burokracitë. Përsëri ne jemi të vëmendshëm se ka mundësi që ky bashkëpunim të thellohet dhe lëvizja e mallrave dhe shkëmbimeve të kenë një kalim më të shpejtë në kohë dhe shërbim me cilësi”, thotë ai.

Duke folur për hapjen e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës gjatë fundjavave, ambasadori Minxhozi, tha se baza e turizmit në Shqipëri është Kosova.

Ai shtoi se aktualisht fluksi më i madh i pushuesve kosovarë është në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës.

“Baza e turizmit në Shqipëri është Kosova, pastaj vjen Maqedonia, por Kosova është një e ardhur shumë e madhe për ekonominë e Shqipërisë. Dua të them se nga viti në vit ka një rritje, në zonat e Shëngjinit dhe Velipojës 70 për qind e pushuesve janë nga Kosova. Është një trend në rritje që nga viti 2019 e këndej, natyrisht vizitohet Vlora dhe Saranda, por këtu është fluksi më i madh i vizitorëve. Pyetja që bëni për fundjavën, ndikon shumë te vizitorët ditorë që shkojnë në mëngjes, duke mos pasur pengesa në kufi, ata zgjedhin për të ngrënë një drekë në ambiente në Shqipëri, pse jo edhe qytetarë të Shqipërisë që janë prezentë në hapësira turistike malore të Kosovës. Është një përfitim i ndërsjellët, një rritje e konsiderueshme, një praktik pozitive që po jep rezultate”, shton ai.

Nga ana tjetër, ambasadori Minxhozi thotë se marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve po zbatohen, derisa përmend projektin e fizibilitetit për hekurudhën mes dy vendeve, për çka thotë se i njëjti pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

“Një punë që po vazhdon me ritëm të kënaqshëm është gjithashtu edhe puna që po ecën për fizibilitetin e hekurudhës që lidh Kosovën me Shqipërinë. Janë në hapa të mirë, dy qeveritë kanë ndarë fondet përkatëse për t’u bërë studim dhe me shpresë që fundi i vitit do të jetë një projekt fizibiliteti të përfunduar dhe vitin e ardhshëm të shikohen mundësitë për të gjetur të hollat e financimit të kësaj hekurudhe”, thotë ai.

Si pozitive, Minxhozi e përmend edhe zbatimin e marrëveshjes për largimin e kuotave për pranimin e studentëve nga dy vendet dhe marrëveshjen për njësimin e abetares.

“Është me interes të themi që këto ditë ka filluar në Universitetin e Prishtinës faza e parë përgatitore të studentëve që vijnë nga Shqipëria. Më nuk do të ketë kuota, as në Shqipëri dhe as në Kosovë, por do të pranohen siç pranohen të gjithë maturantët e shkollave të mesme të Shqipërisë, ashtu do të pranohen të gjithë maturantët e shkollave të mesme të Kosovës. Kjo do të krijojë mundësinë që ne të kemi një bashkim real, jo thjesht të kurikulave, por edhe të interesave të qytetarëve, duke hequr një kufi shumë të rëndësishme që ka qenë në praktikën tonë të deritanishme. E rëndësishme është që në shtator si në Kosovë, ashtu edhe Shqipëri, këto ditë është nënshkruar teksti i abetares. Nxitësit e klasës së parë do të jenë me një abetare të njësuar”, përfundon Minxhozi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments