“Roje bregdetare nuk kemi parë asnjëherë këtu, nuk ka pasur asnjëherë, nuk kemi parë as vite të tjera se kemi 14 vjet që e kemi blerë shtëpinë”, tha një qytetare.

“Jam nga Polonia, kam dy dite këtu, nuk kam parë asnjë vrojtues plazhi dhe skam parë as dushe dhe është shumë e çuditshme për mua, se kur kemi qenë në vende të tjera ne i kemi këto. Duhet të ketë vrojtues, shoh që ka kulla por s’kanë asnjë person aty,” tha turisti.

“Jemi nga Kosova, kemi 1 muaj, nuk kemi parë asnjë roje, nuk ka asnjë kufizim aty është rrezik për fëmijët”, tha një vizitore nga Kosova.

Leneda Kamberaj, trajnere e licencuar e vrojtuesve të plazhit, tha për Euronwes Albania se për vitin 2022 janë trajnuar dhe licencuar 19 vrojtues. Por të 19 janë pronar plazhi dhe kjo ndodh për dy arsye.

“Pronarët e plazhit kërkojnë persona për t’i trajnuar që t’ua bëjnë ata pagesën e trajnimit dhe të vendosi vrojtuesit çfarë rroge duan, por nuk ka persona të interesuar. Një arsye tjetër është se pronarët e plazhit nuk duan të paguajnë lekë shtesë për të marrë një punonjës më shumë dhe e bëjnë vetë trajnimin, por nuk është se këta pronar qëndrojnë në pikën e vrojtimit dhe kryejnë rolin e vrojtuesit të plazhit, e marrin vetëm për të marrë lejen e plazhit dhe kaq”, sqaroi ajo.

Në Vlorë tashmë shezlongjet janë vendosur dhe pushuesit shtohen çdo ditë, ndërsa mungesa e elementëve të sigurisë, vijon të mbetet problem edhe këtë sezon. Kryeinspektori i policisë bashkiake tha për Euronews Albania se kontrollet nuk kanë nisur ende pasi po pritet lista përfundimtare e përfituesve të plazheve nga bashkia Vlorë.

Sakaq Agjencia Kombëtare e Bregdetit tha se javën që vjen do të nisin kontrollet së bashku me policinë e shtetit dhe atë bashkiake për të kontrolluar të gjitha subjektet mbi hapësirat e zëna dhe pajisjen me vrojtues plazhi.

Për këtë sezon, i vetmi vrojtues në plazhin e Vlorës, rezulton të jetë kryetari i bashkisë Dritani Leli, i cili i dha ndihmën e parë një pushuesi që pati problem me zemrën.